Në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë është mbajtur edicioni i radhës i “Kuizit të Diturisë” në nivel shkolle, një aktivitet tradicional që çdo vit mbledh nxënësit në një atmosferë garuese, edukative dhe plot emocione.
Këtë vit, kuizi ka shënuar një pjesëmarrje të gjerë, me gjithsej 34 paralele që morën pjesë në garë, duke e bërë konkurrencën më të fortë dhe më dinamike se asnjëherë më parë. Nxënësit dëshmuan përgatitje të lartë dhe njohuri të gjera në fusha të ndryshme, ndërsa gara u karakterizua nga rivalitet i shëndetshëm dhe entuziazëm i veçantë.
Sipas rezultateve përfundimtare, klasat fituese të këtij edicioni janë: 6/1, 7/3, 8/5 dhe 9/8, të cilat u vlerësuan për performancën e tyre të shkëlqyer.
Paralelisht me këtë aktivitet, në shkollë janë zhvilluar edhe gara në art figurativ. Punimet më të mira, të përzgjedhura nga komisioni vlerësues i udhëhequr nga mësimdhënësi Ismet Fazliu, janë ekspozuar në këndin e muraleve të shkollës, duke i dhënë hapësirë shprehjes artistike të nxënësve.
Drejtori i shkollës, Visar Osmani, në fjalën e tij theksoi përkushtimin institucional për mbështetjen e aktiviteteve të tilla, të cilat kontribuojnë në krijimin e një ambienti më atraktiv dhe motivues për nxënësit.
Nga ana tjetër, organizimi i këtij aktiviteti u vlerësua si tejet i suksesshëm, falë angazhimit të Koordinatorit të Cilësisë, Nuhi Dema, komisionit vlerësues dhe stafit mësimdhënës, të cilët siguruan një mbarëvajtje dinjitoze të garës.
“Kuizi i Diturisë” në SHFMU “Emin Duraku” vazhdon të mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme shkollore, duke promovuar dijen, kreativitetin dhe frymën e garës ndërmjet nxënësve.