25 vjeçari Arlind Kaçirani është ftuar nga Universiteti i Shkodrës për një leksion të hapur në lidhje me kërkimet e tij shkencore në Universitetin e Yale-it, në SHBA.
Me përfundimin e gjimnazit në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, Arlindi shkoi në Amerikë me një vizë studentore. Pas 5 vite studimi në New York, ai prej 2 vitesh po vazhdon studimet dhe kërkimin shkencor për të mbrojtur doktoratën në fushën e inxhinierisë kimike, në Universitetin Yale, një nga më të njohurit në Amerikë në fushën e kërkimit shkencor.
“Fusha ime e studimit është në inxhinierinë kimike. Ne implementojmë metoda statistikore, matematikore dhe fiziko-kimike në studimet tona të punës shkencore. Për të ardhmen, dëshirë kam që të rri në botën akademike, besoj dhe shpresoj që të kem mundësitë e duhura ose në vendin tonë, ose në SHBA, për punësim si profesor ose si studiues shkencor”.
Studimet universitare, thotë Arlindi, nuk mund të kuptohen pa kërkimin shkencor nga ana e studentëve, pasi vetëm kështu ata mund të jenë aktivë dhe të kontribuojnë në komunitet dhe në shkencë, pas përfundimit të studimeve.
“Puna kërkimore-shkencore është baza e studimit dhe, sidomos gjatë doktoraturës, është guri themelor i gjithë punës tande akademike. Dhe unë jam me fat që jam në një universitet, siç është Universiteti Yale, që ka një historik dhe një kapital shumë të madh dhe të pasur njerëzor, shkencor dhe akademik , që mbështet inovacionin në shkencë dhe në teknologji”.
Jeta studentore në SHBA është e gjallë dhe interesante, thotë Arlindi, pasi krijon mundësi njohjeje me persona dhe kultura nga shumë vende të botës, me të cilët duhet gjetur gjuha e përbashkët sociale dhe shkencore, gjë që ndikon në formimin e studentit. Por, në vecanti, studimet në Amerikë i kanë krijuar mundësi për t’u njohur dhe komunikuar edhe me shumë të rinj bashkëkombas, që studiojnë në perëndim.
“Fakti që unë jam pranu dhe jam bërë pjesë e Universitetit Yale më ka njoftë me disa shqiptarë të tjerë shumë të arritur në shkolla të tjera elitare amerikane dhe angleze. Dhe, tek të gjithë ata unë shikoj një dëshirë për të dhënë kontributin e tyre të sinqertë, jo vetëm në komunitetin në të cilin ata janë, por edhe në vendin prej të cilit vijnë, pra për Shqipërinë”.
Profesorja e Universitetit të Shkodrës, Aurora Dibra, thotë se përveç një përvoje shkencore, leksioni i hapur i Arlindit sjell edhe një përvojë jetësore për të nxitur të rinjtë shqiptarë drejt studimit dhe kërkimit shkencor.
Nga përvoja e studimeve në Amerikë, Arlindi thotë se edhe të rinjtë shqiptarë duhet të orientohen që herët drejt programit dhe aplikimit të shkencave matematikore, sepse nëpërmjet kompjuterizimit dhe programimit ecën e ardhmja e shkencës dhe teknologjisë./VOA/