22 studentë të Mjekësisë që i përmbushin kriteret për bursë elitare, MASHTI i la jashtë listës së përfituesve

- Advertisement5 -

Për vitin e dytë, studentët e Mjekësisë raportojnë keqvlerësimet në konkursin e bursave elitare të Ministrisë së Arsimit.

- paragrafi 1 -

22 studentë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës po ankohen se Ministria e Arsimit i la jashtë listës së përfituesve të bursës elitare për vitin akademik 2025/2026, edhe pse i plotësojnë kriteret të jenë përfitues.

- Advertisement -

Studentët ankues studiojnë Mjekësi të Përgjithshme dhe ata janë: Tringa Begu, Elmedina Shatri, Artea Buçaj, Erëza Kumnova, Erza Balaj, Enida Kavaja, Anisa Karaxha, Elsa Krasniqi, Anisa Gashi, Diana Thaqi, Erand Rudi, Albert Preqi, Agon Belallari, Jonita Basha, Blond Bytyçi, Era Hyseni, Yllmir Merovci, Erion Shabanaj, Geldon Ibishi, Lendë Krasniqi, Rinesa Thaçi dhe Rinesa Rexha, raporton KALLXO.com.

Sipas tyre, ata u penalizuan nga Ministria e Arsimit me arsyetimin se i kanë 234 kredi. Zakonisht një vit akademik i ka 60 kredi dhe në rastin e tyre që kanë të përfunduar vitin e katërt të studimeve, do duhej t’iu figuronin 240 kredi, edhe pse në konkursin e këtij viti nuk është përcaktuar numri i kredive.

Visar Muçaj, sekretar në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së i është drejtuar Ministrisë së Arsimit përmes një sqarimi se studentët nuk mund t’i kenë 240 kredi për shkak se me planprogramin 2016 me të cilin janë duke i vijuar studimet – lënda Kirurgji mësohet në vitin e katërt dhe vitin e pestë, kurse provimit i nënshtrohen në vitin e pestë.

- Advertisement -

“Andaj studentët që i kanë 45 provime dhe 234 kredi kanë të përfunduar vitin e katërt.”- i ka shpjeguar Muçaj MASHTI-t, më 20.11.2025.

Përmes transkriptës së notave, vërtetimit studentor dhe dëshmisë se kanë aplikuar për bursën elitare, KALLXO.com ka verifikuar se 22 studentët e Mjekësisë i plotësojnë të gjitha kriteret e Konkursit. Vlera e bursës elitare është 1000 euro.

Ata po ashtu kanë notën mesatare prej 9.0 e tutje, nuk e kanë të përsëritur ndonjë vit të studimeve, i kanë të përfunduara të gjitha provimet e vitit paraprak me kohë, duke mos llogaritur lëndën “Kirurgjia” dhe kanë aplikuar me kohë në Konkursin për bursa elitare të Ministrisë së Arsimit të datës 03.10.2025.

Këto edhe janë shumica e kritereve të Konkursit të Ministrisë së Arsimit për ndarjen e bursave elitare për studentët e Universiteteve publike të programeve bachelor e master, në vitin akademik 2025/2026.

Përveç se raportuan në KALLXO.com se e meritojnë bursën elitare, 22 studentët janë ankuar edhe në Ministri të Arsimit pothuajse secili me ankesa individuale dhe pastaj më 19.11.2025 kanë deponuar ankesë grupore.

Pasi vetë ia kanë sqaruar Ministrisë, se si lënda e Kirurgjisë është lëndë trisemestriale, ku në vitin e katërt i kanë 6 kredi në këtë lëndë dhe e kanë në semestrin e shtatë dhe të tetë, kurse vlerësohen për 4 kredi tjera në vitin e pestë, në semestrin e nëntë, ata e kanë bërë të qartë edhe kërkesën e tyre.

“Ne kërkojmë që rasti jonë të trajtohet në mënyrë të veçantë sepse problemi me numrin e kredive nuk ka të bëjë me ndonjë gabim teknik nga ana jonë por me specifikat e programit sipas të cilit i vijojmë studimet, si dhe të marrim bursën në të njejtën kohë me të gjithë studentët e tjerë që janë përfshirë në listën e publikuar nga MASHTI me datë 18/11/2025.”- kanë theksuar studentët në ankesën e tyre.

KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit më 01.12.2025, në lidhje me ankesat e studentëve, arsyen se pse nuk janë përfitues të bursës elitare dhe është në pritje të përgjigjeve.

Edhe vitin e kaluar, KALLXO.com raportoi keqvlerësimet e Ministrisë së Arsimit për 16 studentë të Fakultetit të Mjekësisë që dëshmuan se i plotësuan kriteret e konkursit por nuk dolën përfitues të bursës herën e parë.

Atë kohë, në Konkursin për ndarjen e bursave elitare nga Ministria e Arsimit për vitin akademik 2024/2025 të datës 15.11.2024, një nga kriteret për përfitimin e bursës për studentët e nivelit bachelor kishte qenë që t’i kenë 60 kredi për secilin vit akademik.