21 maturantë nga Gjilani thonë se u larguan padrejtësisht nga Provimi i Maturës, paralajmërojnë ankesë në MAShTI

- Advertisement -

18 mijë e 800 maturantë patën të drejtë t’i nënshtrohen sot pjesës së parë të Provimit të Maturës Shtetërore.

- paragrafi 1 -

E si rëndom, edhe kësaj radhe u raportua për parregullsi, por pati edhe ankesa nga ata që iu nënshtruan testit.

- Advertisement -

Janë rreth 21 maturantë të Gjilanit, të cilët po pretendojnë se u larguan padrejtësisht nga dy klasa ku kishin për t’iu nënshtruar provimit në Shkollën e Muzikës dhe Arteve në Gjilan.

Këta thonë se u larguan para se t’iu shpërndaheshin edhe fletët e provimit. Arsye për largimin e tyre, këta thonë se ishte fakti se telefonat i lanë në tavolinën para ku qëndrojnë dhe ulen profesorët.

Njëra nga nxënëset e përjashtuara, për Klankosova.tv ka thënë se në momentin që profesori i angazhuar për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e provimit ka qenë duke i shpërndarë teste, “në klasë ka hyrë një zyrtar i MAShTI-t i cili na ka larguar tërë klasën”.

- Advertisement -

Për këtë rast Klankosova.tv ka kontaktuar drejtorin e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Shpend Nuhiun.

I njëjti është shprehur se është njoftuar me rastin nga prindërit e nxënësve.

“Më është bërë e ditur se nxënësit në fjalë janë njoftuar edhe kur kanë hyrë, e edhe nëpërmjet sistemit E-Kosova, madje edhe shkollat nëpërmjet pamfleteve se pajisjet elektronike, si telefonat dhe orët e mençura, janë të ndaluara”.

“Në qendrën që keni marrë shqetësimin janë 21 nxënës që janë larguar. Pajisjet e tyre i kanë lënë në bankë aty përpara”, tha Nuhiu.

Për ankesën e tyre se u është bërë padrejtësi, Drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit tha se ata kanë të drejtë të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes ankesave zyrtare në MAShTI.

“Nëse mendojnë se u është bërë e padrejtë, pakënaqësitë mund t’i shprehin dhe të dërgojnë ankesa zyrtare në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”, tha Nuhiu për Klankosova.tv.

I njëjti shtoi se udhëzimet kanë qenë të njëjta për disa vite me radhë, që nuk lejohen pajisje elektronike, si telefona dhe ora të mençura, në ambientet e qendrave të testimit.

Njëzetenjë maturantët që po pretendojnë se u është bërë padrejtësi, thanë se të hënën do të parashtrojnë ankesën e tyre në MAShTI.