Braktisja e shkollës është një fenomen i cili vijon të jetë prezent në shoqërinë shqiptare. Studimet tregojnë se meshkujt janë ata të cilët braktisin më së shumti shkollën në krahasim me femrat.
Për ekspertët, kjo braktisje lidhet më së shumti me gjendjen ekonomike dhe socio-ekonomike të familjeve shqiptare.
“Përqindja më e lartë e femrave është në zonat rurale, pasi jemi ende në mentalitetin e vjetër. Konfliktet, bullizimi, varfëria ekonomike ka ndikuar shumë. Ata që nuk shkojnë në shkollë janë me një status shumë të ulët ekonomik, kulturor dhe arsimor, që i bën ata të tërhequr ndaj punëve të familjes apo punëve të tjera të rëndomta. Ne rrezikojmë të trashëgojmë varfërinë.”
Lëvizjet demografike kanë bërë që shumë nxënës të zonave rurale të ndërpresin shkollën para kohe, pasi përballen me kërkesa më të larta në zonat urbane.
“Raporti i Bankës Botërore thotë që diferenca mes shkollave rurale dhe urbane është 2 vite, që do të thotë ai që ka mbaruar 9 vite në zonat rurale në të vërtetë, me njohuri ka mbaruar 7 vite.”
Me shqetësim nga ekspertët shihet edhe braktisja e fshehtë e shkollës nga nxënësit.
“Kemi edhe braktisjen e fshehtë që do të thotë shkon një muaj dhe rri dy muaj, ose shkon ndihmon në bujqësi, ose shkollë me korrespondencë.”
Ky fenomen po deformon shoqërinë shqiptare.
“Është një deformim i shoqërisë sonë. Deformimi i fëmijës bëhet më i dëmshëm me rritjen e mosshkollimit të tij.”
Sipas raportit për barazinë gjinore të OKB-së, nxënësit dhe nxënëset që e lënë shkollën para kohe sipas seksit janë në nivelet 17.8% tek meshkujt, kundrejt 17% te femrat./Tv Klan