Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë tepër të vështirë të familjes që jeton në Pogradec. Manjola ka vështirsi në të folur dhe në të dëgjuar.
Ajo është nënë e tre fëmijëve dhe bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë para një viti. Situata për familjen ka qenë tepër e vështirë sepse vazhdimisht janë përballur me sëmundje të shumta dhe kushte të vështira ekonomike.
Gjatë periudhës që bashkëshorti ka qenë i sëmurë, vajza e saj ka patur probleme me veshkat dhe bënte dializë. Por dializa nuk po jepte rezultatin e duhur dhe Nertila duhet patjetër t’i nënshtrohej një operacioni.
Dhuruesja e veshkës ishte nëna e saj, Manjola. Fatmirësisht operacioni shkoi me sukses dhe 13-vjeçarja sot gëzon një shëndet të mirë.
Mirela Milori: Sa vjeç je?
Nertila: 13!
Mirela Milori: Më trego pak situatën shëndetësore me veshkën. Si e kuptove që diçka nuk shkonte mirë me shëndetin tënd?
Nertila: Historia ime fillon që në moshën 7 vjeç. Kur isha 7 vjeç më filluan dhimbjet e barkut, erdhi nëna më çoi tek doktori në Pogradec. Bëmë analizat e gjakut dhe doktori tha që isha me albuminë në veshka. Pastaj na tha të shkonim në Tiranë. Shkuam, i bëmë të gjitha analizat e gjakut, bëra mjekim, por pas mjekimit po fryesha më shumë, enjtesha në faqe.
Mirela Milori: Enjteshe në trup?
Nertila: Po në trup.
Mirela Milori: U fryve dhe në fytyrë?
Nertila: Po! Pastaj bëra dializë.
Mirela Milori: Bëre dializën po pastaj?
Nertila: Bëmë dializën dhe pastaj doktori tha që dializa nuk shkon mirë dhe i tha mamit qe t’i japësh vajzës veshkën. Mami pranoi, ma dha veshkën, bëmë transplant. Operacioni shkoi me sukses.
Mirela Milori: Kishte dhimbje operacioni?
Nertila: Jo, kur dola nga operacioni nuk kisha dhimbje!
Mirela Milori: Po kur hyre kishe frikë?
Nertila: Po kisha frikë, emocione.
Mirela Milori: Po pse kishe frikë?
Nertila: Kisha frikë nga operacioni!
Mirela Milori: Sa qëndrove e shtruar në spital?
Nertila: 2 javë pastaj ika në shtëpi.
Mirela Milori: Sa vjeç ishe kur bëre operacionin?
Nertila: 12 vjeç!
Mirela Milori: Kur e ke bëre operacionin?
Nertila: Në Maj e kam bërë.
Mirela Milori: Në Maj të këtij viti?
Nertila: Po!