Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me bursistë të Institutit Veror 2022 “Teach for Kosova”. Aty ndër të tjera u diskutua për lidershipin, arsimin dhe inovacionin.
Kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij hyrëse tha se është shumë e rëndësishme të diskutohet lidershipi edhe aktivizmi në dritën e edukimit dhe arsimit, sepse siç tha ai, beson që dija i lëviz njerëzit.
Kosova, tha ai, sot ka 327 mijë e 676 nxënës edhe 23 mijë e 33 mësimdhënës, një mësimdhënës për 14 nxënës ku ndër detyrat dhe përgjegjësitë kryesore të mësimdhënësve janë edhe identifikimi i potencialit dhe talentit të fëmijëve në mënyrë që ta ushqejnë atë më tej.
“Mësuesi, mësuesja duhet të jenë një lloj zbuluesi i prirjeve dhe i talenteve të nxënësve e unë besoj që secili prej neve duhet ta ketë kontributin e vet në shoqëri në këtë aspekt”.
Arsimi, sipas kryeministrit Kurti e ka për detyrë të jetë gjithëpërfshirës. Askush, shtoi më tej ai, nuk duhet të lihet anash ose mbrapa, dhe se ata që i kanë mundësitë më të mëdha i kanë edhe përgjegjësitë më të mëdha që t’i ndihmojnë të tjerët.
Derisa theksoi përqendrimin e qeverisjes drejt inovacionit, kryeministri Kurti shtoi se për të shënuar progres përmbajtjesor duhen metoda dhe gjëra të reja.
Ai the se me metodat e vjetra nuk mund të bësh më shumë se sa eventualisht të zësh hapin me dikë tjetër, por të bësh tejkalime, të prijësh, nuk është e mundshme pa inovacion, duke vënë theksin te digjitalizimi që do duhet fillimisht të përqendrohet te industria, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia.
Kryeministri Kurti gjithashtu tha është shumë e rëndësishme që të bëhet ndërlidhja në mes të arsimit profesional dhe tregut të punës, që gjë përbën edhe synim të qeverisë.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, kryeministri Kurti përmendi edhe disa prej arritjeve kryesore të arsimit gjatë këtyre 16 muajve qeverisje si në vijim:
– Aderimi në Horizon Europe;
– Arsimi publik falas për nivelin Bachelor dhe Master;
– Funksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe Këshillit Kombëtar të Shkencës;
– 100 asistentë më shumë për fëmijët me nevoja të veçanta; 300 janë buxhetuar për vitin e ardhshëm 2023;
– Ofrimi i arsimit dual në tri profile: floktar, kuzhinier dhe asistent i restorantit, nga viti shkollor 2022/2023;
– Zgjidhja e problemit të njohjes së mijëra diplomave universitare përmes procesit të verifikimit dhe vërtetësisë së tyre;
– Mbi 3000 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit;
– 1356 bursa universitare për vajza në fushën e STEM
– Buxhet për arsimin mbi 12 për qind më të lartë;
– Tekste shkollore në gjuhën e komuniteteve që të jemi sa më të integruar që të gjithë;
– 150 mijë euro bursa për studentët e komuniteti rom, egjiptian dhe ashkali; pastaj,
– 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional;
– 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare;
– 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të Teknologjisë së Informacionit dhe Kompjuterikes;
– Është nënshkruar marrëveshje më 7 komuna për themelimin e qendrave të karrierës me bazë në shkolla profesionale,
– Është lansuar dhe ofruar kurrikulume GLOBALE– program për arsimin e të rinjve, pjesë e Fakultetit të Edukimit;
– Për herë të parë po bëhet zbatimi i Skemës për Mësimdhënie të Bazuar në Hulumtim, si formë e nxitjes së punës shkencore hulumtuese dhe për mësimdhënie në arsimin e lartë