Një grua që lindi nëntë foshnja më 5 maj, ka zbuluar se si po kalon kohën duke ndërruar shumë pelena dhe duke u dhënë gjashtë litra qumësht në ditë.
26-vjeçarja, Halima Cisse, lindi 9 fëmijët në klinikën Ain Borja në Casablanca, Marok, duke thyer rekordin aktual botëror të vendosur nga ‘Octomum’ Nadya Suleman në 2009-n, e cila solli në jetë tetë foshnja.
“Daily Mail” shkruan se nëntë bebet e Cisse, kur lindën peshonin nga 500 gramë deri në 1 kilogram. Menjëherë ata u vendosën në inkubatorë në njësinë e kujdesit intensiv të klinikës, ku u kujdesën gjatë gjithë kohës nga një ekip mjekësh dhe infermierësh.
Në një intervistë ekskluzive nga spitali i saj në Marok, zonja Cisse ka zbuluar se lindja ka qenë cezariane.
“Ishte një tronditje e plotë kur kuptova se do kisha nëntë foshnja, sepse mendova se do ishin shtatë”, ka shtuar e reja. Kjo e fundit ka treguar se kur po lindte fëmijët, në mendje i kalonin kaq shumë pyetje.
“Isha shumë e vetëdijshme për atë që po ndodhte dhe më dukej sikur kishte një rrjedhë pafund foshnjash që dilnin prej meje. Motra ime po më mbante dorën, por gjithçka që mund të mendoja ishte se si do të kujdesesha për ta dhe kush do të më ndihmonte?”, ka treguar 26-vjeçarja.
Tre muaj pasi bëri lindjen e mundimshme, Cisse tha se ende po shërohet dhe se viziton foshnjat e saj vetëm dy herë në ditë deri në 30 minuta. Ajo ka shtuar se ata ushqehen çdo dy orë, duke pirë gjashtë litra qumësht në ditë. Gjithashtu e reja kalon rreth 100 pelena, të cilat ndryshohen çdo dy orë.
Sipas “Daily Mail”, foshnjat gjithashtu i nënshtrohen kontrolleve shëndetësore çdo tre orë. Deri më tani fatura e kujdesit për trajtimin e foshnjave ka kushtuar 1 milio prind dhe është paguar nga qeveria Maliane.
Zonja Cisse ka zbuluar se brenda 1 muaji nga lindja, i mbaroi qumështi i gjirit. Foshnjat e saj pritet që të qëndrojnë në spital edhe për 2 muaj të tjerë. “Është shumë punë dhe unë ende ndihem shumë e dobët. Shtatzënia ime ishte e vështirë, e kam nevojë për shumë pushim.
Të lindësh 1 fëmijë është mjaft e vështirë, por të kesh 9 është e paimagjinueshme. I jam mirënjohës ekipit mjekësor që po bën gjithë punën e madhe dhe qeverisë Mali për financimin e trajtimit të tyre”, ka rrëfyer 26- vjeçarja.