Dhjetë fëmijë të infektuar me coronavirus janë duke u trajtuar në Klinikën Pediatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjendja e të cilëve për momentin është stabile.
Kështu ka thënë në një prononcim për Telegrafin, pediatrja Arbnore Batalli Këpuska, e cila foli edhe për simptomat e këtyre fëmijëve dhe për vaksinimin.
“Në Klinikën e Pediatrisë, në repartin e COVID-19 janë duke u trajtuar gjithsej 10 fëmijë. Gjendja e tyre është stabile”, ka thënë Batalli Këpuska për Telegrafin.
Pediatrja Batalli-Këpuska tha se fëmijët me COVID-19 që po trajtohen në Klinikën Pediatrike kanë shkuar aty me simptoma të ndryshme.
“Ka pasur me simptoma të traktit respirator dhe të traktit gastrointestinal, që do të thotë kanë barkqitje, kanë vjellje, kanë koll, temperaturë e po ashtu kanë plogështi”, u shpreh ajo.
Në Klinikën Pediatrike për momentin janë 24 shtretër të dedikuar për fëmijët e infektuar me coronavirus.
Batalli-Këpuska ka folur edhe në lidhje me vaksinimin e fëmijëve me vaksinën anti-COVID.
Ajo tha se duhet të bëhet vaksinimi i atyre mbi 16-vjeç, ndërkaq për fëmijët nga 12 deri në 16 vjeç shpjegoi se në cilat raste duhet të vaksinohen.
“Deri më tani prej 12 deri në 16 vjeç, rekomandimet janë që të vaksinohen fëmijët, apo adoleshentët të cilët vuajnë nga sëmundje kronike. Në sëmundje kronike bëjnë pjesë artriti, fibroza cistike, fëmijët me diabet, ata me astmë e të tjera”, tha ajo.
Tutje, pediatrja bëri thirrje që të ketë sa më shumë vaksinim të personave mbi 16 vjet.
“Ne nuk kemi statistika, nuk e dimë nëse është vaksinuar dikush nën 16-vjeç por mbi 16-vjeç e tutje normalisht duhet të vaksinohen. Vaksina është shpëtimi, andaj për të ua parë buzëqeshjen fëmijëve tanë, e të mos i neglizhojmë simptomat, por t’i paraqesim menjëherë tek pediatri”, bëri thirrje ajo.