Në varësi prej asaj se si kompania juaj është e strukturuar dhe në varësi të stilit e menaxhimit, mund të pranoni reagime në baza ditore, ose mund t’i merrni përmes rishikimit vjetor.
Marrja e reagimeve transparente është esenciale për rritjen profesionale, sepse ju ndihmon që t’i identifikoni dobësitë dhe aftësitë tuaja si dhe ju jep mundësinë për t’i forcuar apo zhdukur fare. Por, disa kompani nuk e praktikojnë dhënien e “feedback-ut”, prandaj nëse tashmë jeni pjesë e tyre, kini parasysh këshillat e mëposhtme dhe përdorni ato për t’u rritur!
Vlerësoni se si mendoni se keni bërë/po bëni
Kjo nuk do të thotë që të mendoni se çfarë të thoni dhe si të mbroheni. Por, është e rëndësishme që të ndani kohë për të reflektuar dhe për t’i sjellë pikat kyçe që ju interesojnë në bisedë, sidomos nëse menaxheri juaj nuk është mjaftueshëm i qartë dhe i drejtpërdrejtë.
Jini të sigurt me faktin që dëshironi të merrni “feedback” të sinqertë
Një nga gjërat më të rëndësishme është që t’ia bëni të qartë menaxherëve që jeni duke kërkuar një kritikë konstruktive. Por, kjo nuk do të thotë që do të merrni patjetër një kritikë të mirë, mbase do të ketë edhe ndonjë ankesë, por në fund të fundit kjo është ajo që po kërkoni
Akademi Pune ka një shembull se si të shkruani email për shefin, kur dëshironi që të merrni reagim në lidhje me punën tuaj.
Subject: Feedback-u juaj në lidhje me…. (varësisht për çfarë po kërkoni)
Përshëndetje [Emri i shefit],
Dëshiroj që t’ju pyes nëse mund t’ju marr pak kohë për një takim, për të diskutuar në lidhje me atë se çfarë mendoni rreth projektit të fundit. Do të doja të merrja mendime nga ju për të, kështu që do të punoja në to në të ardhmen. Më saktë, do të dëshiroja që të merrja mendimet tuaja për një nga tri gjërat që shkuan mirë dhe një prej tri gjërave që do të mund të kishin shkuar më mirë. Ndonjë udhëzim që do të mund të më jepnit, do të ishte i mirëseardhur.
Unë jam e hapur në çdo kohë, kurdo që keni kohë dhe mundësi ju. Mezi po e pres përgjigjen tuaj!
Faleminderit,
[Emri juaj]
Qëndroni pozitivë dhe përqendrohuni në përmirësimin tuaj
Gjatë kohës sa flisni me shefin dhe ai tregon për gjërat që duhet t’i përmirësoni, është e rëndësishme që të përqendroheni në edukimin e vetes, për hir të përmirësimit tuaj në të ardhmen. Mos e hidhni në pah gjithçka që ka shkuar keq ose mirë në projektin tuaj gjatë takimit!
Çfarëdo që të bësh, mos flisni si i penduar, duke thënë për shembull, “Ke shumë të drejtë, më vjen shumë keq për këtë!”
Në vend të kësaj jepni një pikëpamje konstruktive, për shembull duke thënë “Kjo është pikë shumë e rëndësishme, vërejtje e mirë”.
Përgatituni mendërisht
Dhënia e kritikës konstruktive nuk është gjithmonë diçka e lehtë. Sidomos kur është për projekte që keni dhënë “shpirtin” në të. Por, është e rëndësishme ta bindni veten që e keni për të mirën tuaj dhe për punën tuaj në të ardhmen. Kjo do t’ju bëj që të rriteni bazuar në mendimet që i merrni.
Sigurohuni që të dëgjoni dhe jo të ndërhyni i zemëruar kur dikush është duke dhënë mendimet që ka! Po ashtu, kërkoni që disa gjëra të cilat nuk i keni shumë të qarta që t’i qartësoni, sepse në këtë mënyrë do ta dini sesi ta aplikoni në të ardhmen tuaj atë këshillë!
Merrni shënime
Nëse nuk merrni shënime do të ndodhë që të harroni shumëçka që jua kanë thënë. Prandaj, është mirë që gjithmonë të merrni shënime në ndonjë bllok ose në word document. Në këtë mënyrë herën tjetër që do të punoni në një projekt të ngjashëm, mund t’i hapni shënimet që i keni marrë dhe të referoheni në pikat e reagimeve dhe t’i integroni gjatë punës.
Pyesni se çfarë shkoi mirë
Mendimet për punën tuaj nuk kanë të bëjnë gjithmonë me gjëra që kanë shkuar keq. Është po ashtu e rëndësishme që të pyesni edhe në lidhje me pikat e forta të projektit. Të qenit punonjës i mirë dhe ngritja në karrierë nuk vjen gjithmonë nga kritikat negative. Nganjëherë fjalët e mira veç sa i forcojnë edhe më tutje pikat tuaja të forta.
Pyesni edhe kolegët ose miqtë në të njëjtin rol
Nëse mund të merrni mendime edhe nga këta persona, por që kanë përvojë më të madhe, përveç shefit, është një ide e shkëlqyeshme. Duke qenë që gjasat që miqtë dhe kolegët t’ju thonë vetëm fjalë të mira, sigurohuni që t’i bëni me dije që po kërkoni përgjigje të sinqertë dhe se, po kërkoni që të përmirësoheni për të ardhmen!
Thuaj faleminderit
Të qenit dikush që jep mendime për diçka nuk është aspak e lehtë. Prandaj, falënderoni personat që u kujdesën për të dhënë përgjigje të sinqerta qoftë për mirë apo për keq! Bëni që ta kuptojnë se po e vlerësoni transparencën e tyre!