E shtunë, 24 Shkurt, 2024

​Nxënësit e komunitetit boshnjak vazhdojnë të kenë mungesë të teksteve shkollore në gjuhën amtare

- Advertisement1-

Janë 11 nxënës të komunitetit boshnjak që ndjekin mësimin në shkollën fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë.


Këta nxënës për një vit nuk kanë mundur të ndjekin mësimin në lëndën e gjeografisë, historisë dhe edukatës qytetare, për shkak që mësimdhënësi që i ligjëron këto lëndë nuk ka poseduar një pajisje teknologjike për t’u lidhur me nxënësit kur mësimi është mbajtur online.

- Advertisement -

Pandemia ka ndikuar që nxënësit e komunitetit boshnjak të përballen me vështirësi të shumta në procesin arsimor, teksa mungesa e teksteve shkollore në gjuhën boshnjake vetëm sa e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e tyre.

Edin Bacevac është nxënës i klasës së nëntë në shkollën fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë. Ai tregon se si ka qenë për atë mbajtja e mësimit online, për çka thotë se fakti që gjatë asaj kohe kanë qenë vetëm dy nxënës iu ka mundësuar që të dakordohen me mësimdhënësit se kur do të mbajnë mësimin.

“Kur e kemi mbajtur mësimin online, nuk ka qenë shumë vështirë, mirë jemi marrë vesh me arsimtarët kur edhe sa kemi me mbajt mësimin. I kemi pasur librat me vete, fletoret, arsimtarët na thoshin çka me bë… Për mua edhe për shoqen time që kemi qenë bashkë online nuk ka qenë problem, krejt arsimtarët kanë ardhë…Nuk ka qenë njëjtë si me qenë në klasë, por kemi mësu mirë, në krejt lëndët jemi munduar me mësu sa më mirë”, thotë ai.

- Advertisement -

Edini ndan klasën me dy nxënës të tjerë, e nëse ky numër do të ishte më i madh, ai thotë se do të kishte edhe më shumë interaktivitet dhe konkurrencë.

“Kështu me dy, tre nxënës nuk është problem hiç se me arsimtarët mundemi me mbërri më mësu më shumë në një orë se me 25-30 nxënës…Me qenë nga 10 nxënës kish qenë shumë konkurrencë më e madhe”, shprehet ai.

Ndërprerja e internetit ka qenë problemi kryesor me të cilin janë përballur edhe dy nxënës të tjerë të shkollës fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë. Prindi Demir Markoviq, thotë se djali dhe vajza e tij kanë pasur probleme të shumta gjatë ndjekjes së mësimit online.

- Advertisement -

“Ndërprerja e komunikimit, tash lidhen më shumë veta dikujt i ndërpritet, ndalet leksioni derisa të kyçet ai prapë e të vazhdojmë aty ku kemi mbetur. Kjo ka qenë pengesa teknike më e madhe që është shfaqur menjëherë, se nuk jemi të përgatitur për atë mënyrë të mësimit, nuk kemi mundur të përgatitemi me kohë dhe nuk i kemi shprehitë e duhura. Do të thotë shkarkoje, lidhu, në këtë vend e ki këtë program, këtë vend e ki këtë mësim, do të thotë duhet të gjithë komplet familja të involvohet në atë se qysh me arrit deri tek diçka që kërkohet nga nxënësit”, shprehet ai.

Si sfidues mbajtjen e mësimit online po e konsideron edhe mësimdhënësja e gjuhës shqipe në shkollën fillore “Faik Konica”, Fahrije Mehmeti.

Në mesin e vështirësive të punës me nxënësit e komunitetit boshnjak, ajo e përmend edhe mungesën e teksteve shkollore.

“Mësimi online ka qenë një sfidë edhe për neve mësimdhënësve sepse për herë të parë kemi punuar, pastaj ju e dini që tek ne edhe rrjeti shumë herë ka probleme. Unë punojë edhe me paralelet e nxënësve shqiptar, këta e kanë gjuhë të dytë gjuhën shqipe, fatmirësisht janë fëmijë shumë të përgjegjshëm, ju kanë përgjigjur thirrjes tonë për mësimin online…. Për komunitetin boshnjak që sa vite na premtohen tekste, jo veç unë si arsimtare që e kanë lëndë të dytë gjuhën shqipe sikurse e kanë gjuhën angleze dhe gjuhën gjermane, por kanë edhe vet arsimtarët që u japin gjuhën amtare kanë problem. Janë premtu me u përkthye, me u përshtat, por gjendemi siç mundemi vet”, thotë ajo.

Për vështirësitë që nxënësit e komunitetit boshnjak kanë pasur në procesin mësimor, tregon edhe drejtoresha e shkollës fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë, Shqipe Vllasalija-Mehmedi.

Ajo thekson se në këtë shkollë janë 11 nxënës të komunitetit boshnjak që ndjekin mësimin në gjuhën boshnjake dhe në klasë janë nga një, e në raste të rralla edhe nga tre nxënës.

Vllasalija-Mehmedi potencon se mungesa e teksteve shkollore në gjuhën boshnjake është një problem i vazhdueshëm me të cilët përballen si shkolle, por edhe mungesa e mësimdhënësve të kualifikuar për lëndët dhe japin.

“Në kohën kur është dashur të realizohet mësimi online për shkak se edhe mësimdhënësit janë të pa trajnuar për kurrikulën për shkak se edhe mosha mesatare e tyre është goxha e madhe, atëherë vështirësitë në përdorim të teknologjisë kanë qenë të jashtëzakonshme. Kemi pasur rast kur mësimdhënësi është vendosur në vendlindjen e tij në Mal të Zi dhe një kohë shumë të gjatë nuk ka pasur mundësi as me komuniku me nxënësit në tri lëndë, meqenëse mësimdhënësi ka pasur një telefon i cili nuk i ka mundësuar që me komuniku me nxënësit, do të thotë nuk ka qenë smartphone dhe nuk kemi pasur mundësi as ne si shkollë t’i ndihmojmë atij siç i kemi ndihmuar mësimdhënësve të cilët kanë qenë këtu, duke u dhënë një pajisje për ta shfrytëzuar. Pothuajse një vit i tërë mësimdhënësit, nxënësit nuk kanë pasur mundësi të marrin informata në lëndën e gjeografisë, historisë dhe edukatës qytetare”, tregon ajo.

Procesi mësimor për shkak të pandemisë COVID-19 në Kosovë është ndërprerë më 11 mars 2020, ndërkohë që mësimi nga distanca për nxënësit e komunitetit boshnjak ka nisur më 30 mars 2020, ku fillimisht njësitë mësimore janë transmetuar përmes Radio Televizionit të Kosovës, e më pastaj ka filluar mbajtja e mësimit online përmes platformave të ndryshme.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Nga Besnik Alili: Mësimdhënia nuk është vetëm profesion por është edhe një art i të jetuarit

Besnik Alili -profesor i grupit klasor pranë shkollës fillore komunale "Përparimi", Reçicë e Madhe...

Malvina Lamçe Rista: Mësimdhënia nuk është një punë e lehtë

Ata që punojnë çdo ditë për të ndriçuar mendjen e fëmijëve, e dinë shumë...

Asije Berisha, zgjedhet mësuesja më e mirë në shkollën “Xhevat Berisha” në Prizren

Asije Berisha, është zgjedhur mësuesja më e mirë në shkollën "Xhevat Berisha" në Prizren,...

Nxënësit e shkollës “Anton Zako-Çajupi” në Mitrovicë vizitojnë kompaninë LIRI në Prizren – shikojnë nga afër procesin e prodhimit

Nxënësit e shkollës fillore "Anton Zako-Çajupi" në Mitrovicë kanë vizituar kompaninë LIRI në Prizren...