Ish-studentja e Universitetit të Prishtinës dhe sopranoja me përmasa globale, Elbenita Kajtazi, që sivjet u nderua me çmimin “Alumni Nderi të UP-së”, tha se nga auditorët e këtij universiteti rruga mund të të çojë shumë larg, nëse talentin e shoqëron me punë, këmbëngulje dhe guxim.
Ajo e vlerësoi lart çmimin që mori nga universiteti ku kreu studimet. „Çmimin ‘Alumni Nderi’ e pranoj me mirënjohje dhe emocion të veçantë. Për mua është sikur një pjesë e rrugëtimit të kthehet aty ku ka filluar. Është një takim simbolik mes studentes që dikur kishte shumë ëndrra dhe artistes që sot, pas shumë vitesh pune, kthehet për të thënë: ia vlen të besosh në to”, tha Kajtazi.
Sopranoja që në skenat e mëdha evropiane dhe botërore interpretoi personazhet kryesore të operave më të njohura klasike, ishte shumë falënderuese për dijen që mori në Fakultetin e Arteve të UP-së.
„Vitet e studimeve nuk më dhanë vetëm dije profesionale. Ato më mësuan disiplinën, përkushtimin, durimin dhe përgjegjësinë që kërkon arti. Kur sot ngjitem në skena ndërkombëtare, me vete e bart gjithmonë një pjesë të vendit prej nga vij. Në këtë kuptim, Universiteti i Prishtinës është pjesë e identitetit tim artistik dhe e historisë sime personale”, tregoi ndjenjat këngëtarja e njohur.
Kajtazi, edhe nga përvoja personale, shpjegoi se vetëm talenti nuk mjafton për sukses, konstatoi se vështirësitë personave të përkushtuar vetëm ua forcojnë karakterin.
„Talenti është një dhuratë, por talenti vetëm nuk mjafton. Duhet disiplinë, punë e vazhdueshme, durim dhe gatishmëri për të mësuar çdo ditë. Në çdo rrugëtim do të ketë edhe refuzime, dyshime, vështirësi e momente kur qëllimi duket shumë larg. Pikërisht në ato momente ndërtohet karakteri”, porositi ajo të gjithë ata që guxojnë të ëndërrojnë.
Këngëtarja me talent të jashtëzakonshëm nga Mitrovica që impresionoi gjatë performancave në operat e gjithmonshme Carmen, La Traviata, La boheme, etj, i porositi studentët e UP-së që të kenë ëndrra, të punojnë fort për to dhe të jenë të lidhur me vendin.
„Do t’u thosha të mos kenë frikë të ëndërrojnë shumë, por njëkohësisht të jenë të gatshëm të punojnë shumë për ëndrrat e tyre. Dhe një gjë që e konsideroj shumë të rëndësishme: suksesi nuk duhet të na largojë nga vendi prej nga vijmë. Sa më shumë që arrijmë, aq më shumë kemi mundësi dhe përgjegjësi që të hapim dyer edhe për të tjerët”, tha Kajtazi.
Ajo Shoqatën Alumni UP nga e cila mori çmimin, e konsideroi një urë që lidh të rinjtë me profesionistët tashmë të dëshmuar.
„Shoqata Alumni UP mund të krijojë ura konkrete mes brezave: mentorim, takime me studentët, masterklasa, këshillim profesional, krijim kontaktesh dhe mundësi që të rinjtë tanë të lidhen me profesionistë që tashmë kanë krijuar karrierë brenda dhe jashtë vendit”, tha Kajtazi.
Për të, të diplomuarit duhet përjetësisht të jenë të lidhur me institucionet ku marrin dijen. „Universiteti nuk duhet të jetë një vend me të cilin marrëdhënia jonë përfundon ditën kur marrim diplomën. Përkundrazi, do të ishte shumë bukur që të mbetet një shtëpi e përbashkët ku gjeneratat kthehen, ndajnë përvojën dhe ndihmojnë gjeneratat që vijnë pas tyre”, tregoi shpirtin e fuqishëm solidar sopranoja e njohur.
