Shkolla “Mitrush Kuteli” në Prishtinë ka nisur procesin e zbatimit të Modelit Kolegial të Sigurimit të Cilësisë, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit profesional dhe përmirësimit të vazhdueshëm të procesit mësimor.
Sipas njoftimit të shkollës, më 6 tetor 2026 është zhvilluar një takim me të gjithë mësimdhënësit e dy cikleve, ku është prezantuar fillimi i procesit të vlerësimit të brendshëm në kuadër të këtij modeli.
Gjatë takimit janë prezantuar qëllimi, rëndësia dhe mënyra e zbatimit të Modelit Kolegial të Sigurimit të Cilësisë, duke u vënë theksi te bashkëpunimi profesional, vëzhgimi dhe monitorimi i praktikave mësimore.
Shkolla thekson se ky proces synon përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së mësimdhënies dhe nuk ka për qëllim gjykimin apo paragjykimin e punës së mësimdhënësve.
Ndërkaq, më 7 tetor është zhvilluar një takim me përfaqësuesit e strukturave të ndryshme të shkollës, përfshirë KDSH-në, KP-në, KM-në, KN-në, EVBSH-në dhe EVPM-në, me qëllim të koordinimit të mëtejmë dhe përcaktimit të hapave për zbatimin e modelit.
Në këtë takim, KDSH-ja ka miratuar fillimin e procesit të zbatimit të Modelit Kolegial të Sigurimit të Cilësisë në shkollë.
Nga SHFMU “Mitrush Kuteli” është përcjellë mesazhi se përmes bashkëpunimit të përbashkët synohet ndërtimi i një shkolle më të mirë dhe avancimi i cilësisë së mësimdhënies.