Shkolla “Dardania”, në Prishtinë ka zhvilluar një takim me ekipin e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), ku janë diskutuar çështje që lidhen me cilësinë e procesit edukativo-arsimor në këtë shkollë.
Një nga temat kryesore të takimit ishte vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, proces të cilin shkolla e konsideron jo vetëm si një detyrim administrativ, por edhe si mundësi për zhvillim profesional dhe përmirësim të vazhdueshëm të praktikës mësimore.
Sipas shkollës, diskutimet me ekipin e DKA-së kanë shërbyer për shkëmbimin e përvojave, identifikimin e pikave të forta dhe evidentimin e fushave ku mund të bëhen përmirësime të mëtejshme.
Në takim është vlerësuar gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet shkollës dhe institucioneve arsimore, me synim ngritjen e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin dhe suksesin e nxënësve.
Nga shkolla“Dardania” e kanë cilësuar takimin si frytdhënës dhe të rëndësishëm, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e ekipit të DKA-së në mbështetje të procesit arsimor.