Në epoka të ndryshme, arsimi është përballur me sprova të shumta të kohës, por asnjëherë më parë udhëkryqi nuk ka qenë sa kritik, aq edhe sfidues. Ne jemi të vetëdijshëm se po jetojmë në një botë ku teknologjia po ecën vrullshëm.
Ekranet me dritë të ftohtë po mbushin përditshmërinë e fëmijëve tanë, inteligjenca artificiale po hap dritare të reja dijesh… ndaj, përballë këtij vrulli të hovshëm teknologjik, qëndron pyetja me shumë peshë: Çfarë e bën arsimin të vërtetë e të qëndrueshëm?
Sigurisht, teknologjia po e lehtëson kërkimin, po hap horizonte të reja gjeografike e shkencore dhe po u jep mundësi nxënësve të shohin botën nga klasa. Megjithatë, ne nuk duhet ta shohim arsimin vetëm si grumbullim të dhënash, sepse rrezikojmë të harrojmë thelbin e tij: formimin e njeriut.
Ne e dimë se asgjë nuk e zëvendëson përqendrimin e thellë që fal leximi i librat fizikë. Shfletimi i faqeve, aroma e letrës dhe heshtja krijuese gjatë leximit ndërtojnë te nxënësi një disiplinë të brendshme dhe një mendim kritik që asnjë ekran nuk mund t’ia dhurojë. Sepse aty lind imagjinata, pasurohet fjalori dhe ndërtohet karakteri. Shkrimi me dorë në fletore është një lidhje e drejtpërdrejtë mes mendjes, dorës dhe shpirtit.
Prandaj, në këtë udhëtim, roli i mësimdhënësit mbetet i pazëvendësueshëm. Mësimdhënësi nuk është vetëm bartës informacioni, por udhërrëfyes jetësor, një figurë që frymëzon, edukon dhe mbjell shpresë për të ardhmen. Fjala e ngrohtë e mësimdhënësit, këshilla apo vërejtja prindërore, inkurajimi për përpjekjen e sinqertë dhe nxitja e meritokracisë janë elemente që asnjë nga makineritë më të avancuara digjitale nuk i posedon dot. Inteligjenca artificiale ofron përgjigje për çdo pyetje, por vetëm mësimdhënësi është ai që di të zgjojë pyetjen e duhur në zemrën e nxënësit.
Ne nuk kemi për qëllim refuzimin e së resë e as braktisjen e së vjetrës, por mbajtjen e një ekuilibri të artë. Mjetet digjitale le t’i përdorim si dritare për të parë më larg, por me shumë kujdes duhet të ruajmë ditarin, librin dhe bashkëbisedimin e ngrohtë si themelet e patundshme të dijes.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara