Rrezart Veseli ka nisur mandatin e dytë si drejtor në shkollën “Bajram Curri”, në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit.
Ai thotë se po e fillon mandatin e dytë, për ta bërë shkollën çdo ditë e më të mirë, më të bukur dhe më të denjë për emrin që mban, për sakrificën dhe dhimbjen që ka pasur.
“Prandaj, përgjegjësia për ta drejtuar këtë shkollë është për mua më shumë se një detyrë. Është besim, nder dhe përgjegjësi ndaj vendit tim dhe ndaj gjeneratave që po rriten këtu”, ka shkruar ai.

Postimi:
Të dashur bashkëvendësit e mi!
Sot, me shumë mirënjohje dhe përgjegjësi, po e nis mandatin tim të dytë si drejtor i shkollës sonë.
Katër vitet e para kanë qenë një rrugëtim i veçantë. Një rrugëtim i mbushur me punë, përkushtim dhe me shumë suksese, ku kam pasur fatin të jem i rrethuar nga mësimdhënës profesionistë dhe prindër bashkëpunues, me të cilët kemi ndarë të njëjtin qëllim dhe përkushtim.
Bashkë kemi realizuar shumë punë, ato janë aty, të dukshme dhe të prekshme. Janë në sukseset e nxënësve tanë, në pamjen dhe mirëmbajtjen e shkollës, në ambientet tona të brendshme dhe të jashtme, por mbi të gjitha, në krenarinë që kemi kur themi: “Kjo është shkolla jonë.”
Shkolla është vendi ku mbillet dija, edukata dhe shpresa. Është vendi ku secili prej nesh ka lënë gjurmë.
Prandaj, përgjegjësia për ta drejtuar këtë shkollë është për mua më shumë se një detyrë. Është besim, nder dhe përgjegjësi ndaj vendit tim dhe ndaj gjeneratave që po rriten këtu.
Sot, e filloj mandatin e dytë, për ta bërë shkollën tonë çdo ditë e më të mirë, më të bukur dhe më të denjë për emrin që mban, për sakrificën dhe dhimbjen që ka pasur.
Faleminderit juve mësimdhënës dhe ju bashkëvendësit e mi, për çdo mbështetje, për çdo fjalë të mirë dhe për çdo bashkëpunim gjatë këtyre viteve!
Ky është vendi ynë.
Kjo është shkolla jonë.
Këtu janë fëmijët tanë.
Dhe për ta, do të japim më të mirën nga vetja.
Mirënjohje dhe respekt për Komunën e Rahovecit, DKA-në dhe MASHT-in për vlerësimin dhe besimin e dhënë!
Me krenari për atë që kemi ndërtuar bashkë, vazhdojmë përpara!
I juaji, Rrezart Veseli.