Reagimi i shpejtë dhe bashkëpunimi i stafit të shkollës “Emin Duraku” në Prizren kanë qenë vendimtarë për t’i ardhur në ndihmë një nxënësi të klasës së gjashtë, i cili sot u përball me një situatë emergjente gjatë qëndrimit në shkollë.
Sipas njoftimit të shkollës, nxënësit me inicialet A. C. i kishte mbetur një pjesë e lapsit kimik në fyt, gjë që po ia vështirësonte frymëmarrjen.
Në këto rrethana, koordinatorja Fellanza Kirajtani, asistentja Rrezarta Bytyqi, zëvendësdrejtori Akif Gashi dhe mësimdhënësi Ismail Morina reaguan menjëherë dhe bashkërenduan veprimet për t’i ardhur në ndihmë nxënësit.
Përmes një njoftimi publik, shkolla ka shprehur mirënjohje për personelin e përfshirë, duke vlerësuar qetësinë, përgjegjësinë dhe gatishmërinë e tyre në këtë situatë të vështirë.
Ky rast rikujton rëndësinë e reagimit të shpejtë, njohurive për ndihmën e parë dhe bashkëpunimit mes stafit shkollor në situata emergjente.
“Shkolla nuk është vetëm vend i dijes dhe edukimit, por edhe një vend ku kujdesi, solidariteti dhe përgjegjësia njerëzore mund të shpëtojnë jetë”, thuhet në mesazhin e shkollës.