Pesë mësimdhënës të IAAP “Ymer Prizreni” pensionohen pas dekadash kontributi në arsim

- Advertisement5 -

Në një ceremoni të veçantë dhe emocionale, në Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) “Ymer Prizreni” në Prizren, u shpreh mirënjohje e thellë për pesë mësimdhënës të nderuar, të cilët po përmbyllin karrierën e tyre profesionale me pensionim.

- paragrafi 1 -

Bëhet fjalë për profesorët Hatim Mehmeti, Igballe Misini, Xhylije Margilaj, Zeliha Misolli dhe Hatime Elezi, të cilët për shumë vite kanë qenë pjesë e pandashme e jetës arsimore të shkollës, duke edukuar dhe formuar gjenerata të tëra nxënësish.

- Advertisement - M1

Sipas drejtuesve të shkollës, puna, përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm tek nxënësit, por edhe tek kolegët dhe i gjithë komuniteti shkollor.

Një vlerësim i veçantë iu kushtua edhe njërit prej profesorëve pensionues, i cili kishte kontribuar në periudhat më të vështira për arsimin shqip, kur mësimi zhvillohej nëpër shtëpi-shkolla për shkak të mbylljes së institucioneve arsimore. Me sakrificë dhe përkushtim, ai, së bashku me shumë mësimdhënës të tjerë të asaj kohe, ndihmoi në ruajtjen dhe vazhdimësinë e arsimit shqip.

Nga IAAP “Ymer Prizreni” theksuan se secili prej mësimdhënësve pensionues ka dhënë një kontribut të çmuar në edukimin dhe formimin e brezave të rinj, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në historinë e institucionit.

- Advertisement - m2

Në emër të drejtorisë, kolektivit dhe nxënësve, atyre iu uruan shëndet, lumturi dhe vite të mbushura me qetësi pranë familjeve të tyre.

“Ju faleminderit për gjithçka që keni dhënë për arsimin, nxënësit, komunitetin dhe shkollën tonë. Emrat dhe puna juaj do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë së IAAP ‘Ymer Prizreni’”, thuhet në mesazhin e shkollës.

Shqip | English