Nxënësja Ana Hoti, nga klasa VII/2 e shkollës “Mihal Grameno” – Aneksi 2, ka shënuar sukses të rëndësishëm në festivalin ndërkombëtar “Hybla Music Contest 2026”, të mbajtur në Raguzë të Italisë, ku ka fituar katër çmime në kategorinë e solokëndimit, shkruan AlbanianEducation.net.
Në shenjë vlerësimi për këtë arritje, drejtori i shkollës, Nexhmedin Rexhepi, priti në një takim përgëzues nxënësen Ana Hoti, e cila ishte e shoqëruar nga kujdestarja e klasës, mësimdhënësja Besa Sollova.
Gjatë takimit, drejtori Rexhepi e përgëzoi Anën për suksesin e arritur, duke vlerësuar talentin, përkushtimin dhe punën e saj, të cilat u shpërblyen me çmime në një festival ndërkombëtar.
Sipas shkollës, kjo arritje përbën një burim krenarie për komunitetin shkollor dhe dëshmon potencialin e nxënësve për të shkëlqyer jo vetëm në mësime, por edhe në art dhe fusha të tjera krijuese.
ShFMU “Mihal Grameno” – Aneksi 2 thekson se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe mbështetjen e talenteve të reja, duke promovuar zhvillimin e tyre në fusha të ndryshme.
Mirënjohje i është shprehur edhe familjes së Anës për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e saj artistik.
Suksesi i Anës Hoti në festivalin ndërkombëtar në Itali përbën një arritje të veçantë për nxënësen dhe shkollën e saj, duke e bërë atë shembull frymëzimi për bashkëmoshatarët.