Nxënësit e shkollës së mesme teknike “Gjin Gazulli” kanë arritur një sukses të rëndësishëm në konferencën e sivjetshme të organizuar nga FLOSSK / SFK, duke u renditur në vendin e tretë në garën e sigurisë kibernetike CTF (Capture The Flag), të zhvilluar nga Pretera.
Në kuadër të konferencës, përveç pjesëmarrjes në ligjërata dhe punëtori që trajtuan rëndësinë e softuerit me kod të hapur (Open Source Software), nxënësit patën mundësinë të testojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre praktike në fushën e sigurisë kibernetike.
Ekipi “qpopulli”, i përbërë nga Dion Hoxha, Alp Krasniqi, Ali Rreci, Fron Rrahmani dhe Bleron Gashi, arriti të sigurojë vendin e tretë pas një gare sfiduese, ku pjesëmarrësit u përballën me detyra që kërkonin njohuri teknike, logjikë, mendim kritik dhe bashkëpunim në ekip.


