Nga Sadik Ahmataj: Rëndësia e njohjes së gjuhës dhe drejtshkrimit në epokën e AI-së

- Advertisement5 -

Për një kohë të gjatë, gjuha, para së gjithash, është konsideruar si mjet komunikimi. Ky konstatim nuk duket më pak i rëndësishëm në ditët e sotme kur inteligjenca artificiale çdo ditë e më tepër po ndikon në jetën tonë.

- paragrafi 1 -

Njohja e një gjuhe në një stad të avancuar sot është përparësi për këdo që përdorë inteligjencën artificiale. Po ta analizojmë mirë, del se shkolla në epokën e AI, para së gjithash, është gjuhë. Gjuha si e tillë pothuajse bëhet sinonim i vetë kuptimit të shkollës. Është ajo që përkthehet në imazh; në tabelë, diagram, ekuacion, etj.

- Advertisement - M1

Dhe anasjelltas. Po të përdorësh një Chatbot, ti i bën një pyetje qoftë edhe me një gjuhë që nuk është formuluar siç duhet, por ai ta kthen me një gjuhë të pastër. Mbase diçka të tillë vite më parë askush s’e kishte menduar.

Fillimisht ishte pandemia ajo që ndryshoi shkollën apo përceptimin për të në kuptimin tradicional të fjalës, duke e ndarë atë në dy epoka, para dhe pas dhe tani inteligjenca artificiale sikur po e revolucionarizon atë.

Në këtë kuptim, AI vuri në pah, si domosdoshmëri, mësimin e gjuhës dhe shkathtësive gjuhësore, si asnjëherë më parë.

- Advertisement - m2

Nëse teknologjia dhe interneti; tabletët dhe telefonat e mençur, ndikuan në rënien e analfabetizmit në kuptimin klasik, AI sikur po e çon edhe më tutje këtë proces. Ndaj, kushdo që e njeh gjuhën më mirë, komunikon më mirë me të, dhe jo vetëm me të, por me gjjthë potencialin e tij që ka sot apo që mund ta ketë nesër.

Kjo i bjen që një i huaj, kudo, që e njeh mirë gjuhën e tij, mund të komunikojë edhe në shqip, ose ta formulojë një tekst në gjuhën shqipe, pa pasur shumë njohuri për gjuhën tonë. Dhe komunikimi i tij në shqip mund të jetë më i saktë sesa i ndonjërit prej nxënësve apo studentëve tanë që nuk i ka fort mirë punët me gjuhën.

Fjala e shkruar, apo gjuha, ka qenë gjithmonë e rëndësishme, por akoma më e rëndësishme po bëhet në epokën e AI. Në këtë situatë, është mirë që fëmijëve tanë në vazhdimësi t’ua kujtojmë se mësimi i gjuhës, veçmas i gjuhës amtare, është një kusht i domosdoshëm për jetën, apo aftësimit për jetën. Pastaj le ta mësojnë çdo gjuhë tjetër nëse munden. Sepse kompetenca digjitale në kohën e AI-së, para së gjithash është gjuhë. Prandaj duhet bërë sa më shumë përpjekje në mësimin e gjuhës, veçmas të gjuhës amtare. Apo sa më shumë politika që favorizojnë mësimin e gjuhës dhe shkathtësive gjuhësore. Sepse gjuha në këtë epokë, nuk është thjesht vetëm një mjet komunikimi, por edhe një mjet i domosdoshëm krijimi. Dhe, mësimi i gjuhës edhe më tutje mbetet jo vetëm nevojë elementare për komunikim, por domosdoshmëri për shkollim dhe aftësim për jetën.