KUR MË OFRUAN POSTIN, NUK E PRANOVA… SOT PO E KUPTOJ EDHE MË SHUMË PSE!
Para disa muajsh, m’u ofrua një post si zyrtare e lartë në Ministrinë e Arsimit.
Nuk e pranova.
Sa me fat jam!
Sot, po e them me gjithë bindjen time: ndoshta ky ka qenë një nga vendimet më të mira që kam marrë.
Sepse unë jam mësuese. Jam çdo ditë në klasë, përballë fëmijëve dhe përballë mungesave që nuk mund t’i fshehësh me konferenca, fotografi e fjalime.
Nxënësve tanë u mungojnë gjëra elementare.
Mësuesit përballen çdo ditë me mungesa materiale.
E ndërkohë, nëse raportimet për keqpërdorime në Ministrinë e Arsimit janë të sakta, atëherë pyetja është shumë e thjeshtë:
Ku përfunduan paratë që duhej të përfundonin te fëmijët?
Arsimi nuk është vend për pazare.
Nuk është vend për interesa personale.
Nuk është vend ku dikush duhet të hyjë për të “fikur edhe kur s’ka zjarr”.
Sepse kur një fëmije i mungon një libër, një mjet mësimor apo një kusht elementar për të mësuar, aty nuk mungon vetëm një material aty cenohet e ardhmja e tij.
Unë zgjodha të mbetem mësuese.
Ndoshta humba një zyrë, një titull apo një karrige.
Por sot, kur shoh çfarë raportimesh dalin nga ajo ministri, them: sa mirë që nuk e ndërrova bankën e nxënësit me karrigen e zyrës.
Sepse më mirë të jem mësuese me duar bosh, por me ndërgjegje të pastër, sesa zyrtare me pushtet e me ndërgjegje të rënduar.
P.S
Dhe një pyetje për ata që kanë përgjegjësi:
A do të guxonit t’u tregonit fëmijëve të klasave tona se ku shkuan paratë që ishin të destinuara për ta?
Sepse fëmijët mund të mos dinë shumë për tenderë e procedura…
por e dinë shumë mirë kur u mungon diçka.