Hyrje
Për shumë shekuj mitet dhe mitologjia kanë shërbyer si një formë e thellë e komunikimit kulturor, duke përçuar vlera, dilema morale dhe kuptime metafizike përmes tregimeve simbolike. Në kontekstin e arsimit, ajo nuk është thjesht një relike e së kaluarës, por një mjet i fuqishëm për të formuar mendimin, ndjeshmërinë dhe imagjinatën.
Në periudha të ndryshme, shumë personalitete i kanë përdorur mitet për qëllime politike, fetare apo ideologjike, ndërsa tre pishtarë të arsimit, Platoni, Zhan Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau) dhe Rudolf Shtajneri (Steiner) i kanë integruar në mësimdhënie si mjete për formimin e njeriut. Secili prej tyre e ka trajtuar këtë aspekt në mënyrë të veçantë për të ndërtuar qasje edukative dhe arsimore që tejkalojnë faktet dhe futen në thellësinë e përvojës njerëzore.
Platoni: Mitologjia si pjesë e filozofisë edukative
Platoni i cili është me plotë kuptimin e fjalës portparol i Sokratit dhe i pedagogjisë së tij, përkundrejt qëndrimit të tij negativ, sa i përket funksionit të mitit të kuptimit të Gjithësisë, ai është i pranishëm në opusin e tij ideor. Edhe koncepti i tij mbi botën ndonëse ideja (eidea) apo forma e mirëfilltë është superiore mbi botën tokësore, ajo është refleks i drejtpërdrejtë i konceptit babilonas të Gjithësisë. S’do mend që filozofia e tij as që mund të reduktohet thjeshtë në këtë metodë alegorike, apo më mirë të themi, metaforike. Sepse në sistemin e tij është i pranishëm vizioni unitar i jonëve, koncepti i tij i unitetit të të kundërtave dhe të gjitha elementet postpitagoriane, duke ua shtuar edhe të kuptuarit e vet psikologjik. Sidoqoftë, “mendimi i Platonit mbetet një përzierje e mitologjisë dhe e logjikës”, edhe pse elementi mitologjik në veprën e tij shkrihet nga përdorimi i tij drejtë naracionit mitologjik, ai gjendet në zanafillen e unitetit konkret të të kundërtave që ngjiten prape në rituale dhe besime fisnore”. Edhe për nxënësin e tij, Aristotelin, racionalistin më të madh deri më sot, miti e ka funksionin e vet gnoseologjik. Si mund të kuptohet ndryshe konstatimi i tij: „Dashamiri i mitit në njëfarë dore është filozof” Ndërkaq, për stoikët miti është kuptuar si alegori.
Platoni e përdori mitologjinë si mjet për të shpjeguar ide filozofike të ndërlikuara, duke e kthyer atë në një mjet edukativ. Kështu p.sh. në veprën me titull Republika, ai paraqet mitin e shpellës, si një alegori që ilustron procesin e ndriçimit intelektual dhe daljen nga injoranca drejt dijes së vërtetë. Po aty, në fund të veprës, gjendet edhe Miti i Erit, i cili trajton zgjedhjen jetësore dhe përgjegjësinë morale të individit. Gjithashtu, edhe në veprat me titull, Fedoni dhe Gorgias , Platoni përdori mitet si mjet për të diskutuar pavdekësinë e shpirtit dhe drejtësinë kozmike. Ai besonte se mitet mund të formojnë karakterin moral të nxënësit duke e lidhur edukimin me përjetësinë dhe të vërtetën.
Sipas Platonit, edukimi nuk është thjesht përvetësim i dijes, por transformim i shpirtit; mitet shërbejnë si ura didaktike që lidhin botën e ndjeshme me atë të ideve, duke e bërë më të kapshme për nxënësin kalimin nga fenomenet tek idetë. Këto mite nuk janë thjesht tregime, por struktura pedagogjike që përshkruajnë edukimin si udhëtim shpirtëror dhe moral, duke e lidhur atë me përjetësinë dhe të vërtetën.

Jean-Jacques Rousseau: Mitologjia si ndjeshmëri dhe natyralizëm
Rousseau nuk e trajtoi mitologjinë në mënyrë të drejtpërdrejtë si Platoni, por qasja e tij ndaj edukimit përmes tregimit dhe natyrës e afron me përdorimin e mitit si mjet formues. Në veprën e tij me titull, Emili ose mbi dukatën (Émile ou De l’éducation), ai thekson rëndësinë e përvojës personale, ndjeshmërisë dhe imagjinatës në edukimin e fëmijës.
Sipas Jean-Jacques Rousseau, edukimi i nxënësit (Emilit) nuk është thjesht një transferim informacioni, por një proces mitik ku mësuesi vepron si një emisar i natyrës.
Përmes përdorimit të “miteve dhe fabulave”, Rousseau synon të personifikojë forcat e natyrës në forma simbolike, duke i mundësuar nxënësit të kuptojë vartësinë njerëzore ndaj rregullave natyrore. Kjo “mitologji pedagogjike” (pedagogic mythology) përdor një gjuhë metaforike për të ekspozuar “kodin e natyrës”, duke shmangur shpjegimet e ftohta historike dhe duke u fokusuar te udhëzimet që formojnë sjelljen e njeriut në harmoni me mjedisin e tij.
Për Jean-Jacques Rousseau, miti nuk përfaqëson thjesht një fazë primitive të mendimit njerëzor, por një formë jetike të shprehjes që i kundërvihet rreptësisë së tepërt të arsyes iluministe. Sipas Cassirer, Ruso nuk kërkon kthimin te “njeriu i egër” në kuptimin literal, por përdor imazhet mitike për të ndërtuar një model ideal të lirisë njerëzore dhe integritetit moral. Mitologjia në këtë kontekst shërben si një mjet kritik për të demaskuar artificialitetin e shoqërisë moderne, duke ofruar një vizion të ri për edukimin ku ndjenja dhe instinkti natyror ruhen përmes rrëfimeve simbolike.
Rousseau argumenton se fëmija duhet të mësojë përmes përvojës dhe jo përmes dogmës, dhe tregimet, përfshirë ato mitologjike, mund të ndihmojnë në zhvillimin e ndjenjës morale dhe të kuptimit të botës. Ai shkruan: “Fëmija që dëgjon një histori të bukur nuk mëson vetëm fjalë, por mëson të ndjejë.”
Në këtë kontekst, sipas Rousseau, tregimi duke përfshirë edhe narrativat mitologjike, shërben si mjet për të zgjuar ndjeshmërinë, për të ndërtuar lidhje me natyrën dhe për të formuar një edukim dhe arsim më shumë human dhe më pak mekanik.
Rudolf Steiner: Mitologjia si gjuhë e shpirtit në edukim
Rudolf Steiner e vendosi mitologjinë në qendër të filozofisë së tij edukative, duke e integruar në pedagogjinë Waldorf si pjesë të formimit shpirtëror të fëmijës. Ai besonte se mitet janë shprehje të përvojës shpirtërore të njeriut dhe se ato ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë imagjinatën, moralin dhe vetëdijen.
Në ligjëratat e tij mbi edukimin, Steiner thekson: “Mitet janë forma të vjetra të dijes që flasin drejtpërdrejt me shpirtin e fëmijës” (Steiner, The Education of the Child, 1907). Në shkollat Waldorf, mitet nordike, greke dhe të tjera përdoren sipas moshës së fëmijës, duke ndihmuar në zhvillimin e ndjenjës së drejtësisë, guximit dhe përkatësisë.
Në ligjëratat e tij mbi edukimin, Steiner mes tjerash thekson edhe këtë: “Mitet janë forma të vjetra të dijes që flasin drejtpërdrejt me shpirtin e fëmijës”. Në shkollat Waldorf, mitet nordike, greke dhe romake përdoren sipas moshës së fëmijës, duke ndihmuar në zhvillimin e ndjenjës së drejtësisë, guximit dhe përkatësisë.
Steiner e sheh edukimin si proces artistik dhe shpirtëror, ku mitet nuk janë thjesht tregime, por simbolikë e jetës së brendshme. Ai argumenton se përmes mitit, fëmija mëson të kuptojë botën jo vetëm me mendje, por edhe me zemër. Mes tjerash ai thot edhe këtë: “Fëmijët kanë nevojë për të vërteta që mund t’i përqafojnë me zemër dhe shpirt, në mënyrë që të mos jenë skllevër të asaj që ndodh në botën e jashtme. Kjo është arsyeja pse duhet t’u tregoni përralla dhe mite që depërtojnë në shpirt.
Duhet theksuar se rëndësia e përmbajtjeve mitologjike e mitografike, tregimeve dhe mendimit simbolik në arsim dhe edukim është trajtuar edhe nga një varg studiuesish të shquar si Carl G. Jung (1875–1961), Vladimir Propp (1895–1970), Henry A. Murray (1893–1988), Joseph Campbell (1904–1987), Mircea Eliade (1907–1986), si dhe Roland Barthes (1915–1980).
Përfundim
Platoni, Rousseau dhe Steiner përfaqësojnë tre qasje të ndryshme, por thellësisht të ndërlidhura, ndaj përdorimit të mitologjisë në edukim dhe arsim. Platoni e sheh mitin si filozofi e ndriçimit, Rousseau si mjet për ndjeshmëri dhe natyralizëm, ndërsa Steiner si gjuhë e shpirtit. Të tre e kuptojnë se arsimi dhe edukimi nuk janë thjesht përvetësim i dijes, por formim i njeriut në tërësinë e tij, mendje, zemër dhe shpirt.
Në një epokë ku arsimi dhe edukimi shpesh reduktohen në rezultate të matshme, rikthimi i mitologjisë si mjet i mësimdhënies mund të sjellë thellësi, kuptim dhe humanizëm në klasat tona. Përmes mitografisë, përzgjedhjes, strukturimit dhe interpretimit kritik të kësaj trashëgimie narrative, mësimdhënësi nuk shërben thjesht si tregimtar, por si udhërrëfyes që e zbërthen përmbajtjen simbolike në dobi të procesit mësimor.
Megjithatë, përdorimi i përrallave, narrativave mitike dhe përmbajtjeve mitografike në mësimdhënien bashkëkohore kërkon një ekuilibër e kujdes të veçantë. Mitologjia mbetet e vlefshme si instrument formues vetëm kur mbështetet mbi një punë të matur mitografike dhe kur i shërben në qëllimeve didaktike e pedagogjike në mënyra të menduara mirë. Përndryshe, kur humbet ky funksion formues, ajo rrezikon të shndërrohet në mitomani, dramatizim apo absolutizim të tregimeve si zëvendësim i realitetit, duke deformuar arsimin dhe edukimin me një besimin të verbër. Prandaj, përmes maturisë profesionale, mësimdhënësi duhet të ruajë balancën e duhur midis fuqisë simbolike të mitit dhe zhvillimit të mendimit kritik, racional e shkencor te fëmijët.