Një shoqëri nuk mund të kërkojë arsim të shkëlqyer duke i trajtuar mësuesit si profesionistë të dorës së dytë. Kur paga e mësuesit mbetet poshtë dinjitetit të profesionit, nuk përzgjidhen më të mirët, por ata që nuk kanë alternativa të tjera. Njerëzit më të aftë, më krijues dhe më ambiciozë kërkojnë hapësira ku vlerësohen sipas meritës së tyre.
Nëse duam mësues më cilësorë, duhet të krijojmë kushte që tërheqin më të mirët. Nuk mund të ndërtohet arsimi i së ardhmes mbi sakrificën e pafundme të atyre që e duan profesionin. Dashuria për arsimin është e domosdoshme, por nuk mjafton kur shoqëria nuk e kthen atë në dinjitet ekonomik dhe shoqëror.
Fatkeqësisht, kjo ndodh edhe në vende të tjera, por ky problem në Shqipëri është edhe më i thellë. Për vite me radhë nga 90 e deri sot mësuesia është nënvlerësuar, deri në atë pikë sa shumë të rinj e shohin këtë profesion fisnik si një zgjedhje të fundit dhe jo si një mision të parë. Madje shpesh është krijuar perceptimi se në arsim mund të hyjë kushdo, duke zbehur prestigjin e profesionit që dikur konsiderohej ndër më të respektuarit.
Ndërkohë, ne rrisim pagat e deputetëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke harruar se beteja më e rëndësishme për një komb nuk zhvillohet në sallat e parlamentit apo të gjykatave. Lufta më e madhe është ajo kundër padijes, indiferencës, mashtrimit dhe varfërisë shpirtërore. Dhe kjo luftë fitohet vetëm në klasë.
Arsimi është ushtria e vetme që mund ta fitojë këtë luftë. Mësuesi është ushtari që e siguron të ardhmen dhe prosperitetin pa hedhur bomba e pa derdhur gjak. Për këtë arsye, çdo investim te mësuesi nuk është shpenzim, por siguracion për fatin e kombit.
Nëse duam shkolla më të mira, nuk mjaftojnë muret, laboratorët apo programet bombastike, por duhet të kemi mësues më të vlerësuar. Nëse duam mësues më të mirë, duhet t’u japim atyre statusin, respektin dhe pagën që meritojnë. Vetëm atëherë njerëzit më të aftë do të zgjedhin të formojnë brezat e ardhshëm.
Koha po ikën shpejt. Çdo vit që humbasim pa e vendosur arsimin në krye të prioriteteve tona shumëfishon pasojat negative. Padija përhapet me progresion gjeometrik po aq sa dija. Diferenca është se dija ndërton qytetërim, ndërsa padija veç kriza dhe fenomene negative që sot i takojmë në çdo vend dhe na vjen turp.
Prandaj, ktheni kokën nga arsimi sot, jo nesër. Nesër mund të jetë tepër vonë. Sepse kombet nuk rrënohen kur u mungojnë paratë, por kur u mungojnë mësuesit që formojnë mendje të lira, qytetarë të ndershëm dhe njerëz që dinë të ndërtojnë të ardhmen.
Në fund të fundit, paga e mësuesit nuk mat vlerën e një individi, por vlerën që një shoqëri i jep të ardhmes së vet