Nga Fiqiri Çifliku: Fajin nuk e ka shkolla



nder titull

- Advertisement5 -

Një reagim për shkrimin e Blushit, si ish-ministër i Arsimit por edhe si politikan e shkrimtar.

- paragrafi 1 -

Ai thotë se rinia, e cila po proteston në forma të dhunshme, është produkt i një keqformimi edukativ dhe se përgjegjësia bie mbi shkollën.

- Advertisement - M1

Ndoshta, në një farë mase, produkti i kësaj strukture mund të jetë edhe i tillë.
Por faji nuk është i shkollës.

Faji është diku tjetër.

Shkolla është një strukturë. Por pjesët përbërëse të saj nuk i zgjodhi shkolla. Ata i zgjodhën. Ata i emëruan. Ata i trajnuan. Ata deshën që të ishin pikërisht ashtu. Po, po, ata pak njerëz që kujtojnë se dinë gjithçka dhe që, në mendjemadhësinë e tyre, e shohin veten si zotër të kësaj toke.

- Advertisement - m2

Shkolla nuk harton politikat që e drejtojnë. Nuk përcakton buxhetet që e mbajnë gjallë. Nuk vendos kriteret e emërimeve. Nuk ndërton vizionin e sistemit. Nuk zgjedh prioritetet e shtetit.

Shkolla është godina, programi, mësuesi, nxënësi dhe përpjekja e përditshme për të edukuar. Por drejtimin, rregullat e lojës dhe njerëzit që e administrojnë atë, i kanë vendosur të tjerë.

Nuk mund të kërkosh nga një shkollë të prodhojë qytetarë të lirë, kritikë dhe të përgjegjshëm, kur për dekada me radhë janë promovuar bindja në vend të mendimit, servilizmi në vend të meritës dhe heshtja në vend të debatit.

Prandaj është e padrejtë dhe njëkohësisht e lehtë të kërkosh fajtorin te shkolla sa herë që shoqëria përballet me pasojat e vendimeve që janë marrë jashtë saj.

Megjithatë, nëse duam të jemi të sinqertë deri në fund, një pjesë të fajit e mbajmë edhe ne.

Jo sepse e krijuam këtë realitet, por sepse nuk arritëm t’i dëgjonim dhe t’i fuqizonim zërat që e ngritën alarmin në kohë. Për mijëra arsye, disa të drejta e disa jo, e lejuam që kjo të ndodhte.

Por as shoqëria nuk mund të gjykohet me lehtësi. Një shoqëri që përballet çdo ditë me mbijetesën, me sigurimin e bukës, me edukimin e fëmijëve dhe me sfidat e jetës së përditshme, nuk ka gjithmonë luksin të përballet edhe me deformimet e sistemit. Ligjet e natyrës e vendosin mbijetesën në nivelin e parë të nevojave. Është instinkt. Është kusht për ekzistencë.

Ndaj ajo që po shohim sot nuk është një shpërthim i papritur dhe as një devijim i rastësishëm.

Sot nuk po ndodh asgjë e re.

Sot po vjelim frutat e pemës që u mboll, u ujit dhe u rrit gjatë këtyre 35 viteve.
Dhe kur fruti del i hidhur, nuk mund të fajësohet shkolla. Duhet parë kush e zgjodhi farën, kush e mbolli, kush e ushqeu dhe kush, për dekada me radhë, e paraqiti si sukses një pemë që po kalbej nga rrënjët.

Sepse ajo që po shohim sot nuk është dështimi i shkollës.

Është fatura e një sistemi që për 35 vjet ndërtoi vetveten sipas interesave të tij dhe që tani po përballet me produktin e vet. Në fund të fundit, askush nuk korr diçka tjetër veç asaj që ka mbjellë.

Megjithatë sot nuk është dita për të gjetur fajtorin më të lehtë e për t’ia faturuar dështimin e afro katër dekadave mureve të një shkolle. Sot është dita për të kuptuar se përgjegjësia është më e thellë, por edhe shpresa mbetet në duart tona.

Megjithatë, përtej këtij konkluzioni, gjithmonë është koha të ngrihemi mbi veten dhe të punojmë për të rifituar atë që kemi humbur. Shoqëria njerëzore, përpos të tjerave, ka një aftësi të jashtëzakonshme rikuperimi nëse ne, anëtarët e saj, e duam me të vërtetë një gjë të tillë. Është koha të ndalim të treguarit me gisht nga godina e të kthejmë vështrimin nga vetja, nga zgjedhjet tona dhe nga zëri që duhet të ngremë sot për të ardhmen që u detyrohemi fëmijëve tanë.