Nga Arbresha Aliu: Nga mosmarrëveshja te dialogu – a po hapet një kapitull i ri SBAShK-MAShT?



nder titull

- Advertisement5 -

Për një kohë të gjatë, marrëdhënia ndërmjet MAShT-it dhe SBAShK-ut është shoqëruar me mosmarrëveshje, mungesë të një dialogu të qëndrueshëm dhe shpesh me përplasje që kanë prekur drejtpërdrejt mësimdhënësit dhe procesin arsimor.

- paragrafi 1 -

Prandaj, fillimi i një bashkëpunimi dhe i një dialogu të ri ndërmjet këtyre dy palëve nuk mund të shihet thjesht si një takim më shumë. Ai mund të jetë një mundësi për të hapur një kapitull tjetër në marrëdhëniet institucionale.

- Advertisement - M1

Por pikërisht për shkak të së kaluarës, ky fillim kërkon maturi.

Mësimdhënësit e kanë parë dialogun të fillojë edhe më parë. Ajo që duhet të shohin tani është nëse dialogu do të shndërrohet në rezultate.

Kjo është arsyeja pse qasja e re e MAShT-it, e cila në këtë fazë duket më konstruktive, duhet të pritet me gatishmëri për bashkëpunim, por edhe me përgjegjësinë për ta vërtetuar atë përmes veprimeve konkrete.

- Advertisement - m2

Çfarë duhet të ndryshojë?

Nëse më parë palët shpesh janë takuar për të menaxhuar mosmarrëveshjet pasi ato kanë shpërthyer, tani duhet të ndërtohet një sistem ku ato ulen bashkë para se problemet të bëhen konflikte sepse ky është ndryshimi thelbësor që duhet të sjellë dialogu i ri.

Dialogu social nuk duhet të jetë një mekanizëm për ta qetësuar një situatë të krijuar. Ai duhet të jetë mekanizëm për ta parandaluar krijimin e saj.

MAShT-i duhet ta shohë SBAShK-un jo si një palë që duhet bindur, por si partner social me të cilin mund të konsultohen politikat që prekin drejtpërdrejt mësimdhënësin.

Në anën tjetër, SBAShK-u duhet ta shfrytëzojë këtë hapësirë jo vetëm për të artikuluar kërkesat e mësimdhënësve, por edhe për të sjellë propozime konkrete, të argumentuara dhe të realizueshme dhe këtu qëndron përgjegjësia e të dyja palëve -nga premtimi te realizimi dhe bashkëpunimi

Por një nga problemet e dialogut social është kur ai mbetet te deklaratat.

Nëse ky bashkëpunim është menduar si fillim i një etape të re, atëherë duhet të ketë një mekanizëm të qartë: marrëveshje dhe bashkëpunim.

Vetëm atëherë mësimdhënësi mund ta ndiejë se zëri i tij ka kaluar nga tavolina e diskutimit në vendimmarrje.

Prandaj nuk mjafton të thuhet se mësimdhënësi është shtylla e arsimit. Kjo duhet të dëshmohet edhe në mënyrën se si trajtohet ai dhe se mirëqenia e mësimdhënësit duhet të jetë në qendër sepse ai nuk është vetëm pagë dhe vetëm vend pune.

Mirëqenia e tij përfshin pagën e drejtë, sigurinë profesionale, respektin institucional, ngarkesën e arsyeshme të punës, zhvillimin profesional, kushtet e punës, mbështetjen në situata të vështira dhe mundësinë për të marrë pjesë në vendimet që ndikojnë në profesionin e tij.Se vetëm në këtë mënyrë një mësimdhënës që ndihet i respektuar dhe i mbështetur ka më shumë hapësirë për t’u përkushtuar ndaj nxënësit, krijimtarisë, zhvillimit profesional dhe ndryshimit që kërkohet nga shkolla moderne.

Në mënyrë që ky bashkëpunim të mos mbetet vetëm një periudhë e mirë komunikimi, do të ishte e rëndësishme:

* të krijohet një platformë e përhershme MAShT–SBAShK për dialog social;

* të përfshihen mësimdhënës nga terreni në diskutimet për politikat arsimore;

* të rishikohet ngarkesa administrative që po merr gjithnjë e më shumë hapësirë nga puna pedagogjike;

* të ndërtohet një sistem i mirëfilltë i zhvillimit dhe avancimit profesional;

* të trajtohet mirëqenia ekonomike dhe profesionale e mësimdhënësit në mënyrë afatgjatë;

* dhe mbi të gjitha, të krijohet një kulturë ku mosmarrëveshja nuk shihet si armiqësi, por si pjesë normale e dialogut social andaj krahasimi me të kaluarën duhet të na shërbejë si mësim e jo si pengesë e një dialogu, por nga ana tjetër nuk duhet harruar

Nëse dje mësimdhënësit shpesh e ndienin veten larg tavolinës ku merreshin vendimet për ta, sot duhet të jenë më afër asaj tavoline.

Nëse dje marrëveshjet mund të mbeteshin në pritje të zbatimit, sot duhet të ketë përgjegjësi, afate dhe transparencë.

Dhe nëse dje palët e shihnin njëra-tjetrën përmes dallimeve, sot duhet të jenë në gjendje ta shohin njëra-tjetrën përmes një qëllimi të përbashkët: një arsim më të mirë dhe një mësimdhënës më të vlerësuar.

Ata kanë nevojë ta shohin dialogun në kontrata, në vendime, në kushte pune, në trajtim institucional dhe në mirëqenien e tyre të përditshme dhe kjo duhet të arrihet me një kulturë të re të dialogut social për arsimin e për mësimdhënësit.

Një kulturë ku MAShT-i e dëgjon profesionin, SBAShK-u e përfaqëson me përgjegjësi, ndërsa mësimdhënësi nuk mbetet vetëm subjekt i vendimeve, por bëhet pjesëmarrës në ndërtimin e tyre.

Sepse në fund të fundit, çdo reformë, çdo politikë dhe çdo vendim arsimor zbret në një vend shumë konkret: në klasë.

Dhe aty është mësimdhënësi.

Prandaj, nëse ky është vërtet një fillim i ri, le të mos matet me numrin e takimeve, por me ndryshimet që do t’i ndiejë mësimdhënësi.

Nga mosmarrëveshja te dialogu është një hap.

Nga dialogu te besimi është një rrugë.

Nga besimi te rezultatet është përgjegjësi dhe se këtë herë rruga duhet trasuar për mësimdhënësin.