Në klasën e dytë, Albani hyn çdo mëngjes me çantën e rëndë dhe sytë nga dyshemeja. Shokët e tij lexojnë tashmë fjali e tekste të shkurtra, ndërsa ai ende i ngatërron shkronjat. Kur unë kërkoj që fëmijët të lexojnë me radhë, ai fillon të luajë me lapsin, sepse “ka mësuar” se kështu askush nuk e vë re se nuk di.
Një ditë, ndryshova diçka të vogël. Në vend që t’i jap një paragraf ta lexojë përpara të gjithëve, i jap një kartë me shkronja dhe i kërkoj të gjejë fjalën që fillon me “M”. Albani më thotë fjalën “mollë”. Pastaj i kërkoj të formojë një fjali, të më përshkruaj mollën, etj. Një ditë tjetër i kërkoj të ndihmojë një shok, dhe më pas, për herë të parë, ai ngre dorën vetë. Nuk ishte mrekulli, ishte vetëm një detyrë e përshtatur. Por ai fëmijë e kuptoi se ka vend në këtë klasë.
Albani nuk është i vetëm. Sot, në të njëjtën klasë, ulen fëmijë me nevoja të veçanta, fëmijë që flasin një gjuhë tjetër nga ajo e mësimdhënies, fëmijë me vështirësi në të nxënë, fëmijë me disleksi që e kanë të vështirë leximin dhe fëmijë me disgrafi që mundohen të shkruajnë, edhe kur e dinë përgjigjen. Secili prej tyre kërkon një mënyrë tjetër për të mësuar, dhe ne mësuesit duhet t’i shohim të gjithë njëkohësisht.
Kjo është gjithëpërfshirja: që çdo fëmijë të mësojë bashkë me të tjerët dhe askush të mos mbetet jashtë. Në letër tingëllon e thjeshtë. Në praktikë, çdo mësues e di sa e vështirë është.
Vështirësia e parë është kompleksiteti i punës së përditshme. Trajnime ka dhe ne i ndjekim, por një gjë është të mësosh teorinë në një sallë trajnimi dhe krejt tjetër ta zbatosh në një klasë të vërtetë, ku të gjitha nevojat takohen në të njëjtën orë mësimi. Sot na kërkohet të njohim shenjat e disleksisë dhe të disgrafisë, të punojmë me një fëmijë me nevoja të veçanta dhe të ndihmojmë një tjetër që ende nuk i kupton udhëzimet, sepse gjuha e klasës nuk është gjuha e shtëpisë. Pastaj vjen koha: me një klasë të mbushur, mezi gjen pesë minuta për t’u ulur pranë një fëmije si Albani, për të përshtatur një detyrë, për të vëzhguar. Dhe shpesh mungojnë materialet, psikologu, mësuesi ndihmës, kështu që gjithçka mbetet te përkushtimi personal i mësuesit dhe jo te sistemi.

Ka edhe pengesa më të heshtura. Ende ka stigmë, te bashkësia, te prindërit, ndonjëherë edhe brenda shkollës. Disa e shohin gjithëpërfshirjen si diçka që e ngadalëson klasën, kur ajo u mëson të gjithëve respektin për ndryshimin. Edhe vlerësimi mbetet pyetje e hapur: si ta vlerësojmë drejt një fëmijë që ecën me ritëm tjetër, pa ia ulur standardin dhe pa e poshtëruar? Për Albanin, një fjalë e gjetur në kartë ishte një arritje e madhe, por një test i njëjtë për të gjithë “nuk do t’ia kishte hedhur kurrë sytë”.
Çfarë na duhet për të ecur përpara? Mbështetje të vazhdueshme në klasë për mësuesit, jo vetëm trajnime, klasa me numër të arsyeshëm nxënësish, staf mbështetës, materiale të përshtatura për çdo lloj nevoje dhe bashkëpunim të ngushtë mes shkollës, familjes dhe specialistëve. Dhe, para së gjithash, dëgjim të mësuesve, sepse ne e shohim çdo ditë se çfarë funksionon.
Gjithëpërfshirja është një pyetje për vlerat tona: çfarë shkolle duam të ndërtojmë dhe çfarë njerëzish duam të rrisim. Rruga është e vështirë, por kur një fëmijë si Albani ndihet i pranuar, nuk fiton vetëm ai. Fiton e gjithë klasa.