Shumë nga përhapësit e dritës janë peng i burokracisë: Kur 4 dekada sakrificë në arsim mbeten pa dinjitetin e merituar?!
Gjithandej Kosovës, arsimi i viteve të ‘90-ta ishte fronti kyç i rezistencës, shtylla e mbijetesës kombëtare dhe vatra e ruajtjes së identitetit. Mësimdhënësit e asaj periudhe punuan nëpër shtëpi-shkolla, nën kërcënimin e përndjekje, në kushte e rrethana që tashmë të gjithë i dimë, por me një përkushtim të pashoq që tejkalonte çdo frikë.
Libri, lapsi dhe shkumësi ishin armët tona për t’i bërë ballë armikut që dhe driten e diellit tentonte të na ndalte. Çdo fjalë e shkruar në fletore me duar që dridheshin nga të ftohtit e kohës, çdo shkronjë e vizatuar në dërrasë të zezë të improvizuar, ishte një akt i fuqishëm që dëshmonte qëndresën tonë të pathyer.
Sot, pas më shumë se katër dekadash kontribut në arsim, shumë nga këta përhapës të dritës po përballen me një padrejtësi, janë peng të procedurave burokratike për shkak të pak muajve që u mungojnë deri te pragu prej 15 vjetësh pune para luftës.
Pragu prej 15 vitesh – Absurd i llojit të veçantë?!
Si duket, marrja e pensionit të plotë kontributdhënës është kthyer në garë shifrash administrative, që krijon një absurd të llojit të veçantë. Një mësimdhënës apo mësimdhënëse që ka shërbyer me devotshmëri për katër dekada penalizohet vetëm për shkak të një pengese teknike muajsh.
Pensioni i plotë duhet të jetë obligim moral, jo “lëmoshë”
Njohja e pensionit të plotë kontributdhënës për mësimdhënësit me përvojë mbi 40-vjeçare nuk duhet të trajtohet si kërkesë për ndihmë sociale e as si kërkesë për “lëmoshë” nga shteti. Mendoj se është një e drejtë minimale ligjore, morale dhe njerëzore, e cila është fituar me punë të ndershme e me djersë gjatë përhapjes së dritës ndër breza.
Kujtoj se dinjiteti i mësimdhënësit në moshën e pensionimit është pasqyra e vetë dinjitetit të një shteti. Institucionet nuk duhet të kapen pas paragrafëve të ftohtë për të përjashtuar ata që arsimuan breza të shumtë në ditët më të errëta të popullit tonë.
Ndërhyrja e nevojshme institudionale
Shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht. Është koha e fundit për një rishikim apo plotësim-ndryshim të udhëzimeve administrative për skemat pensionale.
Karriera prej 40 e më shumë vitesh me ditar në dorë e përhapësve të dritës nuk duhet të matet me vizore burokracie. Mësimdhënësit e viteve të sakrificës meritojnë respekt, dinjitet dhe mirënjohje shtetërore — jo pengesa administrative në ditët e tyre të pensionimit!