Mësuesja Ana Llazo: Brezi që kërkon të dëgjohet, jo vetëm të këshillohet

- Advertisement5 -

Të jesh i ri sot do të thotë të jetosh mes mundësive dhe pasigurive të shumta. Të kesh akses në informacion, teknologji dhe ide të reja, por njëkohësisht të përballesh me vështirësi për të pasur sukses, për të zgjedhur profesionin e duhur, për të ndërtuar një karrierë dhe për të gjetur vendin tënd në shoqëri.

- paragrafi 1 -

Në këtë realitet, të rinjtë kanë nevojë për udhëzim, mbështetje, përvojën e brezave por njëkohësisht kanë nevojë të dëgjohen.

- Advertisement - M1

Shpesh, ndodh që i japim këshilla, vendosim pritshmëri dhe ndonjëherë gjykojmë vendimet e tyre pa u përpjekur të kuptojmë arsyet që qëndrojnë pas tyre.

Por a u krijojmë gjithmonë hapësirën e nevojshme për të shprehur mendimet, shqetësimet dhe aspiratat e tyre?

Të dëgjosh një të ri nuk do të thotë të biesh dakord me çdo mendim të tij. Do të thotë ta respektosh si individ, ta marrësh seriozisht zërin e tij dhe ta përfshish në bisedat që ndikojnë në të ardhmen e tij.

- Advertisement - m2

Nga këshillimi te bashkëpunimi

Në familje, në shkollë dhe në shoqëri, komunikimi mes brezave duhet të jetë një proces i ndërsjellë. Të rinjtë kanë nevojë për përvojën e të rriturve, por edhe të rriturit kanë nevojë të kuptojnë botën në të cilën po rritet dhe po përballet brezi i ri.

Çdo brez përballet me sfida e veta dhe përvojat e së kaluarës,
por sado të vlefshme, nuk i japin gjithmonë përgjigje të gatshme realitetit të sotëm.

Në vend që të krijojmë paragjykime, duhet të ndertojmë ura komunikimi përmes dialogut dhe besimit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në edukim. Shkolla nuk duhet të jetë vetëm një hapësirë ku nxënësit marrin njohuri në lëndë të caktuara por edhe një mjedis ku mësojnë të argumentojnë, të dëgjojnë mendimet e ndryshme dhe të marrin pjesë në vendimmarrje. Një i ri që mëson se mendimi i tij vlen ka më shumë gjasa të zhvillojë vetëbesimin dhe aftësinë për të vepruar në mënyrë të pavarur.

Të rinjtë dhe e drejta për të marrë pjesë

Të rinjtë duhet të jenë pjesëmarrës aktivë në proceset që ndikojnë në edukimin, punësimin, zhvillimin profesional dhe jetën e tyre shoqërore.

Kjo kërkon më shumë hapësira për konsultime ku mendimi i të rinjve merret në konsideratë dhe iniciativa që u japin mundësi të kontribuojnë me ide krijuese dhe konkrete.

Pjesëmarrja e tyre duhet të sjellë mundësi reale për ndikim, bashkëpunim dhe përgjegjësi.

Të rinjtë nuk kanë gjithmonë përgjigjet e duhura, ashtu siç nuk i kanë pasur gjithmonë as brezat e tjerë. Por kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e zërit të tyre.

Një brez që ka nevojë për besim dhe mundësi

Të dëgjosh të rinjtë do të thotë gjithashtu të kuptosh sfidat që shoqërojnë kalimin nga universiteti në tregun e punës, vështirësitë e orientimit profesional dhe pasiguritë që lidhen me të ardhmen.

Nuk mjafton t’u themi të rinjve të jenë të suksesshëm, nëse nuk u krijojmë mundësi për të zhvilluar aftësitë e tyre. Nuk mjafton t’u kërkojmë të jenë inovativë, nëse nuk u japim hapësirë për të eksperimentuar.

Këshillimi i karrierës, zhvillimi i aftësive praktike, lidhja e arsimit me tregun e punës dhe mbështetja e sipërmarrjes së të rinjve janë pjesë e rëndësishme e këtij procesi. Por po aq e rëndësishme është t’u japim atyre besimin se mund të ndikojnë në jetën e tyre dhe në shoqërinë ku jetojnë.

Një i ri që ndihet i dëgjuar dhe i mbështetur, nuk është thjesht një individ më i sigurt. Ai mund të bëhet një profesionist më i përgjegjshëm dhe një pjesëmarrës më i vetëdijshëm në jetën e komunitetit.

Të ndërtojmë një dialog mes brezave

Ndoshta sfida jonë më e madhe nuk është se të rinjtë nuk kanë çfarë të thonë, por se jo gjithmonë dimë t’u krijojmë hapësirën e duhur për t’i dëgjuar.

Familjet duhet të ndërtojnë marrëdhënie të bazuara në besim. Shkollat duhet të nxisin dialogun dhe mendimin kritik. Institucionet duhet të krijojnë mekanizma të mirëfilltë pjesëmarrjeje. Ndërsa shoqëria duhet të mësojë ta shohë rininë jo si një grup që duhet vetëm të drejtohet, por si një burim idesh, energjie dhe risie.

Të rinjtë nuk kanë nevojë për një botë pa sfida. Kanë nevojë për një botë ku mundësitë u lejohen, ku gabimet shndërrohen në mësime dhe ku mendimi i tyre nuk përjashtohet vetëm sepse vjen nga një brez më i ri.

Dhe në fund, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është vetëm: “Çfarë duhet t’u mësojmë të rinjve?”, por edhe: “Çfarë duhet të mësojmë ne prej tyre?”

Ndoshta pikërisht aty fillon ndryshimi: kur këshillimi shndërrohet në dialog, autoriteti në besim dhe brezat në partnerë të së njëjtës të ardhme.

ana