INTERVISTË| Mësuesja Arjana Skenderi Binxhija: Kur mora ditarin për herë të parë, ndjeva emocion dhe përgjegjësi



nder titull

- Advertisement5 -

Puna me fëmijët kërkon dashuri, durim dhe përkushtim, ndërsa angazhimi me fëmijët me nevoja të veçanta kërkon edhe mirëkuptim dhe mbështetje të vazhdueshme. Për mësuesen Arjana Skenderi Binxhija, ky rrugëtim profesional nisi në vitin 2017, kur për herë të parë mori ditarin në duar, duke përjetuar emocione, përgjegjësi dhe kënaqësi.

- paragrafi 1 -

Në një intervistë për AlbanianEducation.net, ajo rrëfen për rrugëtimin e saj në arsim, përvojën si edukatore, asistente për fëmijët me nevoja të veçanta dhe terapiste ABA, si dhe sfidat e përditshme në punën me fëmijët.

- Advertisement - M1

Arjana thekson rëndësinë e arsimit gjithëpërfshirës, bashkëpunimit ndërmjet prindërve dhe shkollës, si dhe nevojën që çdo fëmijë të vlerësohet për aftësitë dhe potencialin që ka.

Sipas saj, çdo arritje, sado e vogël, është një motivim për të vazhduar me përkushtim këtë mision.

A mund të na prezantoheni shkurtimisht, në mënyrë që lexuesit të njihen më shumë me ju?

- Advertisement - m2

Quhem Arjana Skenderi Binxhija dhe kam lindur në Gjakovë. Studimet bachelor i kam përfunduar në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, në drejtimin Parashkollor. Studimet master i kam përfunduar në Kolegjin AAB në Prishtinë, në drejtimin Psikologji Organizative dhe Sociale.

Gjatë rrugëtimit tim profesional kam punuar në disa kopshte si edukatore me fëmijët e moshës parashkollore, si asistente për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe si terapiste ABA. Aktualisht jam e punësuar si edukatore në sektorin publik dhe punoj në shkollën “Emin Duraku” në Gjakovë, ku kontribuoj në klasën e bashkëngjitur të organizatës “Concordia”.

Gjatë këtyre viteve kam ndjekur trajnime të shumta në fushën e edukimit, ndërsa aktualisht vijoj studimet në nivelin e pestë për fëmijët me nevoja të veçanta.

Për mua, arsimi nuk është vetëm profesion, por mision që kërkon punë, vullnet, ambicie, sakrificë dhe, mbi të gjitha, dashuri.

arjana

Kur e keni mbajtur ditarin për herë të parë, çfarë ndjenje keni përjetuar?

Në vitin 2017, për herë të parë mora ditarin në duar. Ndjeva emocione, përgjegjësi dhe njëkohësisht kënaqësi. Ishte një përvojë e veçantë për mua, sepse kuptova rëndësinë e rolit tim në mbështetjen dhe edukimin e fëmijëve.

Isha e etur të mësoja sa më shumë dhe të jepja kontributin tim në këtë fushë.

arjana1

Si lindi dëshira juaj për të punuar me fëmijët me nevoja të veçanta dhe çfarë ju motivon ta ushtroni këtë profesion?

Dëshira ime për të punuar me fëmijët me nevoja të veçanta lindi nga dashuria për fëmijët dhe dëshira për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të bëhen sa më të pavarur.

Ajo që më motivon më shumë është përparimi i tyre në fusha të ndryshme. Çdo buzëqeshje dhe çdo arritje, sado e vogël, për mua përfaqëson shpresë për ditë më të mira.

Besoj se çdo fëmijë ka potencial dhe meriton mbështetje, dashuri dhe mundësi të barabarta.

arjane

Si do ta përshkruanit përvojën tuaj si asistente për fëmijët me nevoja të veçanta?

Përvojën time si edukatore, terapiste ABA dhe asistente për fëmijët me nevoja të veçanta do ta përshkruaja si një rrugëtim të vlefshëm, të mbushur me mësime, sfida dhe kënaqësi.

Gjatë këtyre viteve kam mësuar se çdo fëmijë është i veçantë dhe ka nevojat e veta. Jam përpjekur t’i mbështes fëmijët me durim, mirëkuptim dhe përkushtim, duke i ndihmuar në procesin mësimor, në komunikim dhe në zhvillimin e pavarësisë së tyre.

Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni gjatë punës së përditshme me fëmijët?

Ky profesion na përball me një sërë sfidash, por dashuria për të e bën më të lehtë përballimin e tyre.

Ndër sfidat me të cilat ballafaqohemi janë vështirësitë në komunikim dhe përqendrim, përshtatja e aktiviteteve sipas nevojave të secilit fëmijë, mungesa e materialeve didaktike, si dhe mungesa e hapësirave të përshtatshme.

Megjithatë, këto sfida përpiqem t’i përballoj me durim, mirëkuptim dhe bashkëpunim me mësimdhënësit dhe prindërit. Për mua, është e rëndësishme që çdo fëmijë të ndihet i sigurt, i pranuar dhe i mbështetur.

ar

Çfarë ju ka mësuar kjo përvojë për fëmijët, zhvillimin e tyre dhe mënyrën se si duhet t’i kuptojmë ata?

Kjo përvojë më ka mësuar se çdo fëmijë është unik dhe zhvillohet sipas ritmit të vet. Përvoja më ka vërtetuar se duhet të kemi durim, të mos bëjmë krahasime ndërmjet fëmijëve dhe t’i vlerësojmë arritjet e secilit.

Dashuria, mbështetja dhe bashkëpunimi ndërmjet prindërve dhe mësimdhënësve ndikojnë shumë në zhvillimin e tyre.

Mbi të gjitha, fëmijët duhet t’i shohim përmes aftësive dhe potencialit që kanë, e jo vetëm përmes vështirësive me të cilat përballen.

A jeni e kënaqur me pagën si mësimdhënëse?

Jam mirënjohëse për punën që bëj dhe për mundësinë që kam për të kontribuar në zhvillimin e fëmijëve. Megjithatë, duke pasur parasysh përgjegjësinë, përkushtimin dhe rëndësinë e këtij profesioni, mendoj se puna e mësimdhënësve duhet të vlerësohet më shumë.

Cili është mesazhi juaj për Ministrinë e Arsimit dhe prindërit?

Mesazhi im për Ministrinë e Arsimit është që të vazhdojë të investojë në arsim, veçanërisht në arsimin gjithëpërfshirës, në trajnimin e mësimdhënësve dhe asistentëve, si dhe në përmirësimin e kushteve të punës.

Ndërsa prindërve u bëj thirrje të kenë besim te fëmijët e tyre, të bashkëpunojnë me shkollën dhe t’i mbështesin ata me dashuri e durim.

Çdo fëmijë ka aftësi dhe potencial për të përparuar. Së bashku, prindërit, mësimdhënësit dhe asistentët mund të krijojnë mundësi më të mira për zhvillimin dhe të ardhmen e tyre.

Së bashku ia dalim!

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara