INTERVISTË| Mësuesja Adelina Xhaferi: Brezi i sotëm është më kërkues, mësimdhënësi duhet të jetë në një hap me të



nder titull

- Advertisement5 -

Adelina Xhaferi është mësimdhënëse e Gjuhës Shqipe në shkollën fillore “Forina”, në Forinë të Gostivarit, si dhe asistente e letërsisë në Universitetin e Tetovës. Krahas angazhimit në arsim dhe në fushën akademike, ajo merret edhe me krijimtari letrare dhe studime shkencore, duke botuar tri vepra që përfshijnë poezi, haiku dhe studime mbi letërsinë bashkëkohore shqipe.

- paragrafi 1 -

Së fundmi, Xhaferi ka fituar titullin Doktor i Shkencave Filologjike, në drejtimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

- Advertisement - M1

Në një intervistë për median për arsim AlbanianEducation.net, mësuesja Adelina Xhaferi rrëfen përvojën e saj në mësimdhënie, kujtimet nga fillimi i punës gjatë pandemisë COVID-19, sfidat e profesionit në kohën e zhvillimit të teknologjisë dhe rëndësinë e librit në edukimin e brezave të rinj.

Ajo flet gjithashtu për vlerësimin financiar të mësimdhënësve dhe përcjell mesazhet e saj për Ministrinë e Arsimit dhe prindërit.

Një CV e juaja që t’ju njohin lexuesit më shumë?

- Advertisement - m2

Jam Adelina Xhaferi, Doktor i Shkencave Filologjike. Jam e punësuar si mësimdhënëse e Gjuhës Shqipe në shkollën fillore “Forina”, Forinë, Gostivar dhe si asistente letërsie në Universitetin e Tetovës. Në vitin 2020 (si absolvente) e kam botuar librin tim të parë të titulluar “Botë përtej dritares”, një vepër kjo me 400 haiku (krijime japoneze); në vitin 2022 e kam botuar librin tim të dytë të titulluar “Breza grash”, një përmbledhje kjo me poezi, ndërsa në vitin 2023 e kam botuar librin tim të tretë të titulluar “Proza e Fatos Kongolit mes modernes dhe eksperimentales”, një studim ky monografik mbi krijimtarinë e F. Kongolit si shkrimtar bashkëkohor. Pak ditë më parë e kam fituar titullin akademik: Doktor i Shkencave Filologjike në drejtimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Universitetin e Evropës Juglindore (Tetovë) me disertacionin e titulluar si: Elementi i tokës dhe fatit në prozën dhe poezinë e Murat Isakut. Ndër vite,  pos si pjesëmarrëse (studiuese) e rregullt në Konferenca të ndryshme Shkencore Ndërkombëtare, kam qenë fituese e shumë çmimeve dhe vendeve të ndryshme në poezi dhe prozë (ese), si në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe më gjerë. Krijimet e mia poetike, pos në Maqedoni të Veriut, janë përfshirë edhe në shumë antologji të ndryshme të botuara në: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Kroaci, Suedi, Francë dhe ShBA. Pos tjerash, për katër vite me radhë kujdesem edhe për botimin e revistës shkollore “Nxënësi”, në të cilën botohen punimet (krijimet) më të mira të nxënësve të mi.

Kur keni kapur ditarin për herë të parë, çfarë ndjenje ishte për ju?

Ditari më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sime. Më duket sikur ai ka qenë pranë meje bashkë me lodrat, me të cilat e kam mbushur periudhën e fëmijërisë sime, ngase unë jam bijë e një familjeje të shkolluar, në të cilën ditari ka qenë pjesë e secilës ditë. Që nga gjyshi im, i punësuar si mësimdhënës i ciklit të ulët dhe më pas te babai im, i punësuar si bibliotekist në shkollë, ditari, letrat dhe ngjyra e stilografit duket sikur e kanë përbërë mozaikun e jetës sonë si familje arsimdashëse. Ndaj, e rritur në një rreth të këtillë familjar në të cilin mbushja e ditarit dhe dhënia e librit për lexim ishin detyrat më të bukura dhe më të rëndësishme të jetës, nuk kishte se si të merrja rrugë tjetër, pos atë të shkollimit të brezave të rinj dhe kapërcimit të secilës gjë për t’u afruar te mësimdhënia, si art dhe si punë (profesion).
Punësimi im ka ndodhur në një periudhë mjaft të veçantë dhe të rëndë të shoqërisë njerëzore, pra në vitin 2020, atëherë kur shoqëria njerëzore u përball me Covid-19 dhe pandeminë dhe çdo gjë ekzistonte dhe ruhej nga distanca. Orët e para të mësimdhënies sime qenë të realizuara nga distanca (on-line), ndaj nuk e kam pasur ditarin përballë dhe në duar, meqë punonim me ditar elektronik, ashtu siç nuk i kisha as nxënësit e mi afër meje (fizikisht) për ta parë nga afër nxënien e tyre. Por, pavarësisht kësaj, ekrani i vogël i telefonit me të cilin e zhvillonim mësimin me nxënësit e mi (të gjithë drejt një qëllimi të përbashkët), sërish më ka dhënë një ndjesi të bukur dhe më ka lënë një kujtim të veçantë: qe hapi im i parë drejt mësimdhënies dhe ëndrrës që vinte e bëhej një realitet i dashur e i bukur për mua.

A mund të na tregoni një rrëfim që nuk do ta harroni, që ju ka ndodhur me nxënës apo kolegë?

Gjatë gjithë viteve të mia në punë, në kornizat e ngjarjeve të bukura dhe të veçanta kam vënë shumë prej tyre, secila më e bukur dhe më e mirë se tjetra. Ndaj, është mjaft e rëndë që në morinë e gjërave që mbeten thellë brenda nesh ta bëjmë ndonjërën “kryefjalë”, apo t’i japim ngjyra më të bukura. Të punosh me fëmijë dhe ta edukosh secilin prej tyre është një nga gjërat më të bukura, ashtu siç është e bukur vetë sjellja dhe dëshira e tyre për dije, arsimim dhe arritje të suksesit: këtë do ta veçoja nga të gjitha. Gjatë realizimit të kësaj pune ndodhin shumë gjëra, secila me natyrën e saj, krijohen shumë ngjarje (qofshin ato të rastit, apo ato të planifikuarat), lindin shumë ide dhe mbi të gjitha formohen (gdhenden) shumë personalitete që nesër do t’i duhen shoqërisë sonë dhe vetë funksionimit të vendit. Në këtë mori do ta veçoja edhe ndryshimin e nxënësve të mi, gjegjësisht kapërcimin e tyre nga njëra shkallë në tjetrën për t’u dukur më të mirë në sytë e mi dhe për t’u bërë më të mirë në lëndën e Gjuhës Shqipe. Kjo gjë do të ishte pjesa më e veçantë në secilin rrëfim timin, pavarësisht vendit dhe kohës, sepse ta bësh një nxënës të vrapojë pas diturisë dhe të jetë i pranishëm në secilin aktivitet të realizuar, kjo më duket se është më shumë se sa rrëfim, më shumë se sa punë e bërë brenda hapësirës së klasës dhe mbi të gjitha më shumë se sa një detyrë e dhënë për t’u punuar në shtëpi.

Sa është e vështirë sot të jesh mësimdhënës/e?

Të jesh mësimdhënës në ditët e sotme, në të cilat zhvillimi i teknologjisë dhe ecja e botës drejt marrjes së informacioneve të shpejta shihen mjaft qartë, është një punë e veçantë, mjaft e rëndë dhe një sfidë më vete. Të punosh me nxënës në ditët e sotme, në të cilat ata përditë e më shumë njohin gjëra të reja dhe kanë informacione nga më të ndryshmet është sa e lehtë, po aq edhe e vështirë, sepse duhet të punosh me fëmijë që informacionin e dhënë në klasë e kanë edhe jashtë librit të vendosur në çantë, si dhe me fëmijë që gjërat elementare (shkrimin dhe leximin) i mësojnë përpara se të bëhen pjesë e shkollës si institucion edukativ-arsimor. Por, mbi të gjitha, kjo e ka edhe anën e veçantë dhe pozitive sepse të gjithë fëmijët e kohës së sotme duan informacione të shumta, mund ta gjejnë edhe gjënë më të imët të një mësimi të dhënë, mund ta dinë edhe ndodhinë më të re dhe për të gjitha këto të flasin me njëri-tjetrin në secilën hapësirë të (pa)njohur. Brezi i nxënësve të sotëm është brezi më kërkues dhe brezi më i veçantë i shoqërisë njerëzore, prandaj mësimdhënësi duhet të jetë në një hap me ta, të vrapojë me kohën dhe në një mënyrë të re, me metoda të cilat i përgjigjen kohës së sotme, ta nxisë nxënësin drejt suksesit dhe ta afrojë atë me librin, në të cilin informacioni i dhënë do t’ia hapë rrugën e re, do ta bëjë që ta gjejë veten e tij dhe mbi të gjitha ta fitojë atë gjë me të cilën ai e “ushqen” veten e tij. Kjo është fuqia e mësimdhënies: ta shohësh rritjen e një nxënësi duke e mbuluar me art dhe sukses.

845216972 1589213519180481 993011922482455943 n

A jeni të kënaqur me pagat si mësimdhënës?

Mësimdhënia është një ndër punët më të veçanta dhe më të vlerësuara gjatë gjithë rrjedhës së shoqërisë njerëzore, këtë e ka treguar vetë rrjedha e kohës, në të cilën ata që kanë dhënë mësim (e kanë shpërndarë dijen) dhe ata që e kanë marrë mësimin kanë qenë më të dashurit dhe më të respektuarit, ndaj si e tillë, kjo punë (ky profesion) nuk mund të paguhet asnjëherë e as “t’i dilet hakut”. Duke qenë se mësimdhënësi është faktori kryesor i cili mund ta ndryshojë një nxënës dhe më pas ta shohë suksesin e tij, pavarësisht drejtimit të (për)zgjedhur duhet pohuar që ndaj tij nuk mund të jepet kurrë ajo që meritohet. Prandaj, në shoqërinë shqiptare mësimdhënësi nuk e merr kurrë një pagë të duhur, pa e harruar se puna e tij nuk ka një çmim.

Mesazhi juaj për Ministrinë e Arsimit dhe prindërit?

Mesazhi im për Ministrinë e Arsimit do të ishte mjaft i thjeshtë: të punojë më shumë në hartimin e teksteve të duhura dhe të nevojshme për grupmoshën e nxënësve dhe ta ndërtojë një tekst të lehtë, faqet e të cilit do të lidhen me kohën e sotme, pa e lënë anash as edhe njohjen e karakteristikave të djeshme të shoqërisë shqiptare, meqë ajo që vjen nga e djeshmja për të qenë pjesë e kohës së sotme duhet të “përqafohet” me veten dhe kohën në shërbim të nxënësit. Ndërsa mesazhi im për prindërit gjithashtu do të ishte mjaft i qartë: bëhuni shembulli kryesor i ecjes së fëmijës suaj, në një botë të mbushur në të cilën shembujt janë të ndryshëm, por kurrë më të afërt e më të qartë se sa ajo që “jetohet” brenda mureve të shtëpisë!

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara