I doktoruari në Universitetin Teknik të Munihut, Granit Thaqi: Në UP na inkurajonin të bënim pyetje

- Advertisement5 -

Dr. Granit Thaqi, i diplomuari i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës, që doktoroi në njërin nga 25 universitetet më të njohura të globit, e vlerësoi lart dijen dhe përvojën që fitoi në UP.

- paragrafi 1 -

Thaqi, që studimet e doktoratës i kreu në katedrën e Fiziologjisë dhe Imunologjisë së Shtazëve të Shkollës së Shkencave të Jetës në Universitetin Teknik të Munihut, ku diplomoi më 18 shtator 2026, tha se përgatitja profesionale që mori në Universitetin e Prishtinës e ndihmoi të tejkalojë sfidat që e prisnin në universitetin numër 1 të Gjermanisë dhe të renditurin ndër universitetet më të mira të botës.

- Advertisement - M1

„Universiteti i Prishtinës më përcolli vlera dhe më dha një bazë të fortë arsimore, që më ndihmoi t’i përballoja me vetëbesim situatat e paqarta. UP na pajisi me njohuri, aftësi shoqërore dhe aftësinë për ta zbatuar me maturi atë që mësuam”, tha Thaqi.

Ai lavdëroi edhe profesorët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë për nxitjen e studentëve që çdo hulumtim ta bazojnë në prova shkencore. „Në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV), si pjesë e formimit tim si veterinar, u inkurajuam të bënim pyetje, të vlerësonim provat dhe t’i komunikonim qartë idetë, aftësi që kanë qenë thelbësore për zhvillimin tim”, shpjegoi Thaqi.

granit

- Advertisement - m2

Eksperti i veterinarisë që mbrojti temën e doktoratës në lidhje me faktorët metabolikë që ndikojnë në fiziologjinë e riprodhimit të shtazëve, veçoi për ndihmën profesionale gjatë tërë studimeve në UP dhe Gjermani, profesorin dhe mentorin e tij, prof. Bajram Berishën.

„Profesor Berisha ka qenë një burim i madh motivimi që nga ditët e para kur isha student i tij në FBV. Ai është ndër të paktët profesorë që ndërthur kërkimin shkencor me mësimdhënien, kjo falë kontributit të rëndësishëm që prof. Berisha ka dhënë në këtë fushë”, tha Thaqi.

Profesori Berisha aktualisht është profesor vizitor në Universitetin Teknik të Munihut dhe mban titullin e nderit ambasador, ndërsa dy herë radhazi platforma e njohur ndërkombëtare AD Scientific Index e ka vlerësuar ndër 100 shkencëtarët më të mirë të Evropës në fushën e bujqësisë dhe pylltarisë.

Thaqi e Berisha raportin e tyre të dikurshëm student-profesor, e kanë avancuar në raport kolegial me hulumtime të përbashkëta. „Pata fatin të jem bashkautor me të në disa artikuj shkencorë dhe çdo bashkëpunim më solli mësime të vlefshme e njohuri të reja. Ishte nder të punoja me të, ndërsa këshillat dhe ekspertiza e tij më ndihmuan t’i kapërceja më lehtë sfidat”, tregoi Thaqi për bashkëpunimet e frytshme me Berishën.

Të diplomuarit të UP-së që temën e doktoratës në Universitetin Teknik të Munihut i kreu edhe nën mbikëqyrjen e profesorit të atjeshëm prof. Michael Pfaffl, i janë hapur rrugë të reja të zhvillimit të karrierës. „Aktualisht, Universiteti Teknik i Munihut më ka dhënë mundësinë të vazhdoj kontributin tim në shkencë, në fiziologjinë dhe bioteknologjinë e riprodhimit të shtazëve si studiues pasdoktoral”, tha Thaqi.

Ai tregon se pse ky universitet global me bazë në Gjermani është ndër më të mirët në botë. „I njohur për nxitjen e diversitetit dhe krijimtarisë, TUM-i u ofron studiuesve aftësi të gjera dhe i përgatit ata të trajtojnë pyetje komplekse shkencore, të çojnë përpara kërkimin, të zhvillojnë ekspertizë në analizën e të dhënave biologjike dhe të krijojnë metoda e zbatime të reja”, shpjegoi, Thaqi.

Pavarësisht që e konsideron nder të madh suksesin e arritur në Gjermani, ai vazhdon të jetë i lidhur shpirtërisht me Universitetin e Prishtinës. „Gjatë studimeve të doktoraturës dhe angazhimit tim në komunitetin shkencor, e kam përfaqësuar me krenari Universitetin e Prishtinës si një nga të diplomuarit e tij dhe do të jem gjithmonë i hapur për forma të ndryshme bashkëpunimi me të”, përfundoi Thaqi.