Takohemi për një libër të palexuar.
Çdo tetor, në “Muajin e Letërsisë”, librat dalin nga raftet dhe futen në fotografi. Nxënës me libra në duar, mësues që flasin për leximin, drejtues që postojnë aktivitete dhe institucione që mbushin rrjetet sociale me mesazhe për rëndësinë e leximit. Për disa ditë duket sikur jemi kthyer në një komb lexuesish. Pastaj kalon tetori dhe libri kthehet aty ku ishte për 11 muaj, në raft, për të pritur vitin tjetër.
Problemi nuk është se bëjmë aktivitete për librin. Problemi është se shpesh mjaftohemi me to. Sikur mjafton të dukesh i lexuar, pa qenë i lexuar. Sikur një fotografi me libër në dorë të shton dijen, fjalorin apo zgjuarsinë. Por libri nuk funksionon si dekor. Ai nuk të jep asnjë pikë shtesë sepse e mban në dorë. Nuk të bën më të mençur sepse pozon me të. Nuk të bën më elokuent sepse e vendos pranë vetes në një aktivitet.
A bëhemi më të zgjuar nga ajo që duket apo nga ajo që përvetësojmë? A na pasurojnë më shumë videot që kalojnë për pak sekonda në ekran, fotografitë që na japin gjithçka gati, apo fjalët që na nxisin të mendojmë?
Kur sheh një video, dikush tjetër ka imagjinuar për ty. Ka zgjedhur fytyrat, ngjyrat, peizazhet dhe emocionet. Kur lexon një roman, një tregim apo një ese, je ti që i ndërton të gjitha në mendjen tënde. Fjala ta vë imagjinatën në punë. Të detyron të krijosh botë, të lidhësh ide, të kuptosh karaktere dhe të hysh në mendimet e njerëzve të tjerë. Padyshim që libri mbetet palestra më e madhe e imagjinatës.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe alarmi. Rezultatet e fundit të PISA-s tregojnë se nxënësit shqiptarë vazhdojnë të kenë vështirësi serioze në lexim dhe në kuptimin e tekstit, ndërsa një pjesë e madhe e tyre nuk arrijnë nivelin bazë të të kuptuarit të asaj që lexojnë.
Kjo do të thotë se problemi nuk është tek shqiptimi i fjalëve, por tek kuptimi i tyre. Dhe kur humbet aftësia për të kuptuar tekstin, fillon të varfërohet edhe mendimi.
Në këtë kohë të TikTok-ut, Instagram-it dhe videove të pafundme, leximi duket si një zanat i dalë mode. Por në të vërtetë ai është një nga aftësitë më moderne që mund të ketë një njeri. Ai të mëson të përqendrohesh kur gjithçka përreth të shpërqendron. Të mëson të argumentosh kur të tjerët mjaftohen me slogane. Të mëson të dëgjosh mendimin e tjetrit kur bota të shtyn të reagosh pa menduar.
Prandaj libri nuk ka nevojë për lavdërime boshe apo akte ceremoniale. Ka nevojë për lexues. Ka nevojë për biblioteka të hapura, për mësues që flasin për librat që i kanë lexuar dhe jo për ata që i kanë fotografuar, për nxënës që diskutojnë ide dhe jo thjesht për kopertinat.
Sepse në fund, mes asaj që duket dhe asaj që je, diferencën nuk e bën fotografia. E bën faqja e lexuar. Nuk ta ndryshon jetën libri që e mbajte në dorë për pesë minuta, por ai që e mbajte në mendje për vite.
Përndryshe, çdo tetor do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtat festa dhe do të takohemi sërish me të njëjtin personazh të heshtur, një libër të palexuar.
Besoj se janë shumë që e mendojnë si unë, por modest për ta artikuluar për publikun…