Mungesa e motivimit dhe ngarkesa në punë po e bëjnë gjithnjë e më pak tërheqës profesionin e mësimdhënësit, ndërsa në një të ardhme të afërt Kosova mund të përballet edhe me mungesë të drejtorëve të shkollave, u vu në dukje në diskutimin socio-kulturor “Lidershipi në shkolla – Çfarë e bën një shkollë të suksesshme”, organizuar nga ETEA në kuadër të programit kulturor të Qendrës “Libart”.
Drejtoresha e Gjimnazit “17 Shkurti” në Obiliq, Besa Gashi-Dvorani, vlerësoi se nëse nuk ka reforma dhe ndryshime në sistemin arsimor, rrezikohet mungesa edhe e mësimdhënësve.
“Shumë shpejt, shumë afër, domethënë në periudhë shumë të afërt kemi me pasur mungesë të drejtorëve në shkolla. Çka është rreziku më i madh, nëse nuk pëson reformime dhe ndryshime arsimi në çdo aspekt, s’kemi me pasur edhe mësimdhënës. Fatkeqësisht, puna që unë e bëj sot me pas qenë studente, nuk e kisha zgjedhur profesionin e mësimdhënësit”, tha ajo.
Ajo theksoi se mungesa e motivimit dhe ngarkesa në punë janë ndër sfidat, me të cilat përballën mësimdhënësit, duke shtuar se kjo vërehet edhe te nxënësit e klasave të 12-ta, kur diskuton me ta për planet e tyre.
Duke folur për atë se çfarë e bën një shkollë të suksesshme, Dvorani tha se suksesi nuk duhet të matet vetëm me infrastrukturën apo notat e nxënësve, por me aftësinë e shkollës për të zhvilluar individë dhe për t’i përgatitur ata për jetë.
“Një shkollë e suksesshme nuk është ajo shkollë që varet vetëm nga infrastruktura që e ka, nga notat e mira të nxënësve. Një shkollë e suksesshme është që nxjerr individë që i qet vlerat e tyre në pah, krijon nxënës të shëndoshë edhe të përgatitur për jetë”, tha ajo.
Kryetari i Këshillit Drejtues të shkollës “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë, Arben Nitaj, kritikoi ndërhyrjet e politikës në institucionet arsimore, duke vlerësuar se Këshillat Drejtues duhet të kenë rol më të fuqishëm në funksionimin e shkollave.
“Sistemin e ka shkatërruar politika. Edhe kush mundet me u përballë me politikën? E partitë politike, me kryetarët e komunave, me ministritë, institucionet që ndërhyjnë gjatë ditës në politikën e shkollës, vetëm Këshilli Drejtues. Dhe shtrohet pyetja, pse? Ata nuk kanë asnjë mandat ndaj nesh. Nuk munden me marrë asnjë masë ndaj nesh. Nuk munden me na kontrolluar, s’mundemi me na treguar çka me bë, s’mundemi me na dhënë pozita.
Ende nuk e dimë, ende nuk e kemi të qartë se çfarë fuqie juridike, ligjore edhe kompetenca ka Këshilli Drejtues…. Anëtarët e Këshillit Drejtues nuk paguhen, janë vullnetarë, edhe të japësh kaq shumë obligime, kaq shumë kompetenca pa pagesë… Dhe mendoj që Këshilli Drejtues i shkollave duhet t’i funksionalizohet në secilën shkollë”, tha Nitaj.
Kurse, dekani i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Blerim Saqipi, tha se duhet të punohet më shumë në rritjen e autonomisë profesionale të shkollave, veçanërisht në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe performancës së mësimdhënësve.
“Duhet punuar më shumë me autonominë profesionale. Që nënkupton autonominë rreth menaxhimit të resurseve njerëzore. E kjo në vetvete kupton edhe mundësinë që shkolla t’i zgjedhë vetë mësimdhënësit. Shkolla ta menaxhojë performancën e mësimdhënësve. Sepse nëse je drejtor i shkollës, edhe vendimet për vazhdimin e kontratës, punësimin e stafit, t’i merr dikush tjetër, natyrisht që atëherë autoriteti i drejtorit do të jetë më i ulët sesa duhet. Kjo mendoj është ajo që tash për tash po e quajmë se është politizuar, unë po e kthej në një nivel profesional, ku mendoj që shumë gjëra humbin dhe shumë dëme bëhen nëse drejtori i shkollës nuk është autoriteti që e menaxhon performancën e mësimdhënësve”, tha Saqipi.
Ai theksoi se autonomia në nivel të shkollës është një karakteristikë e sistemeve të avancuara arsimore, duke shtuar se monitorimi i punës së mësimdhënësve duhet të shoqërohet me mbështetje profesionale dhe masa konkrete kur performanca nuk është e kënaqshme.
“Por për aq sa unë i njoh zhvillimet e arsimit këtu, diku tjetër dhe për aq sa unë e kuptoj literaturën akademike nuk mund të gjesh një shembull të mirë të arsimit të avancuar që nuk ka autonomi në nivel të shkollës. Pra, kur drejtori nuk është autoriteti kryesor që është përgjegjës pikë së pari e pastaj ka mundësinë me ndërmarrë zhvillime në aspekte profesionale. Se këtu nuk janë vetëm çështjet sipërfaqësore, domethënë nuk është shumë me rëndësi kush po na shkruan kontratë. Më rëndësi është kush ka përgjegjësi në monitorim dhe ai monitorim me u kthyer në veprime, përkrahje për mësimdhënësit e pse jo edhe marrjen e masave për ata e atyre që nuk performojnë mirë”, tha Saqipi. / KosovaPress