Çeku dhe Jasharaj takojnë mësimdhënësit në Mitrovicë, diskutojnë për Strategjinë e Arsimit 2035+

- Advertisement5 -

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, kanë vazhduar në Mitrovicë ciklin e konsultimeve me mësimdhënësit për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+.

- paragrafi 1 -

Para bashkëbisedimit me mësimdhënësit e rajonit të Mitrovicës, ministri Çeku, zëvendësministri, Muhedin Nushi dhe kryetari Jasharaj janë pritur nga rektorja e Universitetit “Isa Boletini”, Nurten Deva. Më pas, kanë vizituar laboratorët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, ku janë njohur me hapësirat dhe pajisjet që shërbejnë për mësimin praktik dhe veprimtarinë shkencore.

- Advertisement - M1

Takimi me mësimdhënësit është zhvilluar në kuadër të konsultimeve të përbashkëta të MASh-it dhe SBAShK-ut, me qëllim përfshirjen e drejtpërdrejtë të komunitetit arsimor në përcaktimin e prioriteteve dhe orientimeve të strategjisë së re.

Diskutimi është përqendruar në katër shtyllat kryesore të strategjisë: edukimin në  fëmijërinë e hershme, arsimin parauniversitar, arsimin dhe aftësimin profesional, si dhe arsimin e lartë dhe shkencën. Në këtë kuadër, është theksuar nevoja për përmirësimin e cilësisë së arsimit, zhvillimin institucional dhe përshtatjen e programeve arsimore me nevojat e shoqërisë dhe të tregut të punës.

Gjatë bashkëbisedimit është vlerësuar rëndësia e kontributit të mësimdhënësve dhe sindikatës në hartimin e politikave arsimore, duke e vendosur interesin e nxënësve dhe zhvillimin afatgjatë të arsimit në qendër të reformave.

- Advertisement - m2

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka vlerësuar frymën e bashkëpunimit me

Ministrinë dhe ka shprehur gatishmërinë e sindikatës për të kontribuar me kapacitetet e saj në këtë proces. Ai ka theksuar edhe rëndësinë e punës së përbashkët për kontratën kolektive dhe përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit e arsimit, nga çerdhet deri në universitete.

Konsultimet rajonale do të vazhdojnë në të gjitha rajonet e Kosovës, duke krijuar hapësirë për propozimet dhe rekomandimet e mësimdhënësve në hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+