Betim Ahmeti: Udhëzimi i ri i MASHTI-t për procedurat disiplinore kërkon shqyrtim të kujdesshëm juridik



nder titull

- Advertisement5 -

UA nr. 02/2026 i MASHTI-t kërkon shqyrtim të kujdesshëm juridik!

- paragrafi 1 -

A është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës Udhëzimi Administrativ nr. 02/2026 për inicimin e procedurës disiplinore në institucionet edukativoarsimore?

- Advertisement - M1

Pas shqyrtimit të dispozitave të këtij udhëzimi, konsideroj se disa çështje meritojnë sqarim dhe vlerësim të thelluar juridik.

1. Kompetencat e Inspektoratit të Arsimit

Duhet të jetë e qartë se ku përfundon kompetenca e inspektorit për të konstatuar shkeljet dhe për të iniciuar procedurën, dhe ku fillon kompetenca e organit punëdhënës për të vendosur për përgjegjësinë disiplinore.

- Advertisement - m2

2. Gjendja shëndetësore e punëtorëve

Përfshirja e paaftësisë fizike ose mendore për kryerjen e detyrave të punës në kuadër të shkeljeve disiplinore, siç parashihet në nenin 5, pika 1.6, kërkon sqarim të veçantë. Gjendja shëndetësore nuk duhet të barazohet automatikisht me përgjegjësinë disiplinore. Duhet të respektohen të drejtat e punëtorit, legjislacioni i punës dhe mbrojtja nga diskriminimi.

3. E drejta për mbrojtje juridike

Asnjë punëtor nuk duhet të përballet me masa disiplinore pa u njoftuar për shkeljen e pretenduar, pa pasur mundësi të dëgjohet, të paraqesë prova dhe të ushtrojë të drejtën e ankesës.

4. Kompetencat e DKA-së dhe drejtorëve të shkollave

Inspektorati i Arsimit duhet t’i ushtrojë kompetencat e tij ligjore, por kjo nuk nënkupton anashkalimin e kompetencave që ligji ua njeh DKA-ve, drejtorëve të shkollave dhe organeve punëdhënëse.

5. Ndërprerja e veprimtarisë së institucioneve

Çdo masë që ndikon në funksionimin e një shkolle publike duhet të mbështetet në bazë të qartë ligjore, në fakte të dokumentuara dhe në parimin e proporcionalitetit, duke pasur parasysh edhe të drejtën e nxënësve për arsimim.

Kushtetuta nuk është vetëm një dokument formal. Ajo është kufiri që duhet ta respektojë çdo institucion publik, pa përjashtim.

Në bazë të neneve 24, 31, 32, 47, 49, 54 dhe 55 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kërkohet që çdo dispozitë nënligjore të jetë në harmoni me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Nuk po kërkojmë që askush të lirohet nga përgjegjësia për shkeljet e bëra. Përkundrazi, kërkojmë që përgjegjësia të përcaktohet sipas ligjit, me procedurë të drejtë, me kompetenca të qarta dhe me respektim të të drejtave të secilit punëtor.

Ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë. Asnjë institucion nuk është mbi ligjin dhe asnjë punëtor nuk është jashtë përgjegjësisë ligjore.

Për këtë arsye, konsideroj të nevojshëm shqyrtimin dhe interpretimin juridik të UA nr. 02/2026, si dhe harmonizimin e dispozitave eventualisht problematike me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.