Argjira Veseli ka arritur një sukses të rëndësishëm në rrugëtimin e saj akademik, duke përfunduar doktoraturën në Universitetin e Zagrebit në Kroaci, me vlerësimin “Magna Cum Laude”, shkruan AlbanianEducation.net.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Veseli përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë emocionet dhe mirënjohjen për këtë arritje.
Ajo ka falënderuar në mënyrë të veçantë mentorët e saj, Prof. Dr. Ivana Čuković-Bagić dhe Prof. Dr. Lul Raka, për udhëzimet, mbështetjen dhe besimin gjatë gjithë procesit të doktoraturës.
Veseli ka shprehur mirënjohje edhe për familjen e saj, e cila, siç ka theksuar, e ka mbështetur vazhdimisht gjatë këtij rrugëtimi.
Një dedikim të veçantë ia ka kushtuar fëmijëve të saj, Fronit dhe Borës, duke i cilësuar ata si motivimin dhe arsyen e kësaj arritjeje.
Ajo ka theksuar se ky sukses për të përfaqëson shumë më tepër sesa një titull akademik apo diplomë, pasi pas tij qëndrojnë sfidat e tejkaluara, përvojat dhe njerëzit që e kanë shoqëruar gjatë këtij rrugëtimi.