Ekskursioni i maturantëve të gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë është anuluar për shkak të situatës në Shqipëri.
Vendimi është marrë nga Këshilli Drejtues i shkollës, në bashkëpunim me nxënësit.
Njoftimin e ka dhënë drejtoresha e Arsimit në Malishevë, Arbëreshë Krasniqi.
Postimi i saj:
Të dashur maturantë të Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë,
Me gjithë dëshirën tonë që ekskursioni juaj të realizohet, dhe përkundër faktit se i kemi respektuar plotësisht të gjitha procedurat në zbatim të Udhëzimit Administrativ, në bashkëpunim të ngushtë me kryetarin e komunës z. Ekrem Kastrati me drejtorin e shkollës, z. Aziz Mazreku, dëshiroj t’ju njoftoj edhe publikisht për vendimin e marrë.
Pas takimit të sotëm me ju dhe koordinimit të përbashkët, ju njoftoj se situata aktuale në Shqipëri, pas protestave të zhvilluara atje, nuk krijon kushtet e përshtatshme për realizimin e ekskursionit në këtë periudhë. Për këtë arsye, ekskursioni anulohet për këtë herë, me shpresën dhe dëshirën që situata të qetësohet dhe ne të kemi mundësi ta realizojmë atë në pranverën e vitit të ardhshëm.
E kuptojmë dëshirën dhe pritjet tuaja për këtë udhëtim, ndaj ky vendim nuk është i lehtë as për ne. Megjithatë, siguria dhe mirëqenia juaj mbeten prioriteti ynë.
Respekt për të gjitha kompanitë konkurruese, sidomos për kompaninë fituese, dhe ju falënderoj për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj!
Ju falënderoj për mirëkuptimin, maturinë dhe bashkëpunimin, si dhe shpreh respektin tim të veçantë për drejtorin, të gjithë mësimdhënësit dhe prindërit tuaj.
Me respekt dhe dashuri për secilin prej jush!